Individët vijojnë të mbeten financuesi kryesor i ekonomisë shqiptare, duke mbështetur si bizneset, ashtu edhe institucionet financiare përmes depozitave dhe investimeve.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2024 mjetet financiare të individëve arritën në rreth 2,960 miliardë lekë, kundrejt detyrimeve prej rreth 440 miliardë lekësh, duke zgjeruar më tej pozicionin e tyre neto kreditor, i cili është afërsisht në nivelin e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gjatë vitit 2025, ky rol është forcuar më tej, pasi depozitat e individëve u rritën më shpejt se kredia. Në fund të vitit, depozitat në banka arritën rreth 1,100 miliardë lekë, ndërsa kredia 390 miliardë lekë, me rritje vjetore përkatësisht 10% dhe 19%. Si rezultat, pozicioni kreditor i individëve ndaj bankave u zgjerua me rreth 30 miliardë lekë, duke arritur në 720 miliardë lekë, ose rreth 30% e PBB-së.
Struktura e kursimeve tregon një dominim të valutës së huaj, ku pretendimet neto në valutë arritën në rreth 490 miliardë lekë, kundrejt 240 miliardë lekëve në monedhën vendase. Kjo pasqyron rritjen më të shpejtë të depozitave në valutë krahasuar me kredinë, ndërsa në lekë, ritmet e rritjes së depozitave dhe kredisë kanë qenë të përafërta.
Paralelisht, individët kanë zgjeruar investimet edhe në instrumente të tjera financiare, si fondet e investimit dhe pensioneve, ndërkohë që investimet në tituj qeveritarë kanë shënuar rënie. Vetëm depozitat kontribuan me rreth 60 miliardë lekë në rritjen e mjeteve financiare gjatë periudhës.
Nga ana tjetër, kredia për individët vijon të rritet me ritme të larta, me një zgjerim mesatar vjetor prej rreth 20%. Pesha kryesore mbetet kredia për pasuri të paluajtshme, që përbën rreth 63% të totalit. Në fund të vitit, kjo kredi arriti në 170 miliardë lekë në lekë dhe 70 miliardë lekë në valutë.
Normat e interesit për kreditë e reja kanë shënuar një rënie të lehtë, duke arritur në 7.5% për kreditë në lekë dhe 6.2% për ato në euro, ndërsa për kreditë për banesa normat mesatare ishin përkatësisht 3.8% dhe 4.9%. Megjithatë, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, kërkesa për kredi është moderuar disi dhe bankat kanë shtrënguar kushtet, veçanërisht për kreditë për blerje banese, në reflektim të zhvillimeve në tregun imobiliar dhe masave rregullatore të ndërmarra.
Pavarësisht kësaj, për gjysmën e parë të vitit 2026 bankat presin një rritje të kërkesës për kredi nga individët, si për banesa ashtu edhe për konsum, ndërkohë që kushtet e kreditimit për këtë të fundit pritet të lehtësohen. Në tërësi, individët mbeten një shtyllë kyçe e financimit të ekonomisë, me kursime në rritje dhe rol të rëndësishëm në stabilitetin financiar të vendit./ekofin.al
