Qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm për mbështetjen e sektorit të bujqësisë nëpërmjet një skeme të veçantë garancie shtetërore. Vendimi, i cili synon të lehtësojë aksesin në financim për subjektet bujqësore, parashikon vënien në dispozicion të një garancie prej 3 miliardë lekësh për huatë që këto subjekte do të marrin pranë bankave tregtare.
Kjo nismë pritet të nxisë zhvillimin rural dhe të rrisë investimet në bujqësi, një sektor kyç për ekonominë kombëtare, ndërkohë që parashikon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve financiare, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Vendimi i plotë:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E SKEMËS SË VEÇANTË TË GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE NË SEKTORIN E BUJQËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas, në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, për garantimin e huamarrjes së subjekteve në sektorin e bujqësisë.
2. Skema e veçantë e garancisë shtetërore të huas do të lëshohet në favor të bankave tregtare të nivelit të dytë, si më poshtë vijon:
a) Banka Raiffeisen, sh.a.;
b) Banka e Bashkuar e Shqipërisë, sh.a.;
c) Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
ç) Banka Tirana, sh.a.;
d) Banka Intesa Sanpaolo Albania, sh.a.;
dh) Banka Procredit, sh.a.;
e) Banka Amerikane e Investimeve, sh.a.;
ë) Banka e Parë e Investimeve Albania, sh.a.;
f) Banka Credins, sh.a.;
g) Banka OTP Albania, sh.a.;
gj) Banka Union, sh.a.
3. Marrëveshja e garancisë do të jetë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së garancisë me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, për ndjekjen dhe administrimin e kësaj skeme garancie.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
