Prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme në Shqipëri, tashmë do të ketë edhe garancinë e origjinës.
Enti Rregullator Regjistri ka miratuar rregulloren e lëshimit të këtyre garancive, regjistri i të cilave do të mbahet dhe administrohet përmes sistemit elektronik nga ERE.
Certifikata e garancisë së origjinës përfshin burimin e energjisë nga i cili prodhohet energjia elektrike, si dhe të dhëna të tjera identifikuese. Gjithashtu ajo do të ketë një referencë për faktin se lëshohet për 1MWh energji elektrike dhe është e vlefshme për një vit, duke filluar nga dita e fundit e periudhës së prodhimit për të cilën është lëshuar.
Prodhimi i energjisë për konsum vetjak nga pajisjet e prodhimit nuk do të certifikohet.
Sipas rregullores, certifikata e garancisë të origjinës të energjisë elektrike është e transferueshme nga një mbajtës llogarie te një tjetër pas miratimit të ERE-s.
Gjithashtu, ERE do të njohë vetëm një herë certifikatat e garancisë së origjinës e lëshuar nga një Palë Kontraktuese e Komunitetit të Energjisë ose nga një vend anëtar i Shoqatës së Organeve Lëshuese (AIB) dhe do të zbatohet për të gjitha certifikatat GO të lëshuara nga vendi përkatës.
Pas lëshimit të certifikatës së garancisë së origjinës, ERE do të dërgojë te mbajtësi i llogarisë të cilit i lëshohet certifikata, vlerën e detyrimit që duhet të paguajë ndaj ERE-s. Kostoja për njësi do të jetë me bazë vjetore dhe do të miratohet me vendim të Bordit të ERE-s jo më vonë se data 31 janar e çdo viti.
Çdo diferencë e krijuar në të ardhura sipas këtij parashikimi, do të korrigjohet në vitin pasardhës. Përjashtimisht, për vitin 2025, vlera e detyrimit për lëshimin e certifikatës së garancisë së origjinës do të jetë e barabartë me 0.03 euro/MWh.
Enti ka të drejtë të verifikojë pajisjet e prodhimit të regjistruara në çdo kohë. Refuzimi ose ndërhyrja në inspektimin e pajisjeve prodhuese nga pronari i pajisjeve prodhuese ose përfaqësuesi i autorizuar do të konsiderohet shkelje e këtyre rregullave./ekofin.al