Botohet në Fletoren Zyrtare ligji për shërbimin ushtarak rezervist, i cili parashikon rregullat dhe detyrimet që burojnë nga ky shërbim për individët dhe palët e tjera të përfshira.
Në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura pranohen shtetasit shqiptarë të padënuar me vendim të formës së prerë. Pranohen si ushtarë shtetasit deri në 50 vjeç, ndërsa për nënoficer deri 55 vjeç dhe për officer deri në 60 vjeç.
Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është nga 14 deri në 45 ditë kalendarike në vit. Ky afat mund të zgjatet për nevoja të stërvitjeve ushtarake me urdhër të ministrit të Mbrojtjes për bashkimin e ditëve të stërvitjes së dy vjetëve, por jo më shumë se 45 ditë kalendarike.
Koha e shërbimit ushtarak rezervist mund të zgjatet mbi kohën e përcaktuar në rast të operacioneve të gjendjes së jashtëzakonshme; kur shtetasi aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione ushtarake ndërkombëtare, të drejtuara nga OKB-ja /NATO-ja /BE-ja; misione humanitare ndërkombëtare.
Shtetasit që plotësojnë kriteret e pranimit nënshkruajnë një kontratë me shërbimin ushtarak për një periudhë jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi. Në fund të periudhës së aktivizimit ushtarakut i bëht në vlerësim. Shtetasit, që kanë edhe një shtetësi tjetër krahas asaj shqiptare, mund të kryejnë shërbimin ushtarak rezervist sipas përcaktimeve të marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve përkatëse.
Përjashtohen nga pjesëmarrja në këtë shërbim deputetët, ministrat, gjyqtarët dhe prokurorët, drejtuesit e institucioneve fetare dhe atyre diplomatike apo personat që kanë detyra të rëndësishme, ndërprerja e të cilave cenon sektorët jetikë të vendit.
Ligji parashikon se ushtarakët në rezervë kanë detyrimin të njoftojnë Qendrën e Personel-Rekrutimit nëse largohen jashtë shtetit mbi 6 muaj.
Sa u përket masave disiplinore, parashikohet se shmangia e ushtarakut rezervist nga detyrimet në fushën e evidencës ushtarake ose nga pjesëmarrja në stërvitje, trajnime dhe operacione të ndryshme ushtarake brenda dhe jashtë vendit, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 50 000 lekë.
Shtetasi, i cili aktivizohet për kryerjen e shërbimit ushtarak rezervist, ka të drejtën e ruajtjes së vendit të punës kur ka marrë paraprakisht dakordësi me shkrim nga punëdhënësi ose titullari i institucionit për aktivizim në këtë shërbim.
Kryerja e shërbimit ushtarak rezervist përbën shkak për pezullimin e nëpunësit civil nga shërbimi civil. Subjektet shtetërore dhe private janë të detyruara ta rikthejnë në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend tjetër të barasvlershëm.
Subjektet shtetërore dhe private që nuk përmbushin këto detyrime ndëshkohen me gjobë në masën e 20-fishit të pagës minimale mujore në shkallë vendi./ekofin.al
