Qeveria ka vendosur një ndryshim sa i përket njësimit të pagës referuese për efekt të ligjit të pensioneve suplementare shtetërore.
Më konkretisht, ndryshimi është bërë në VKM nr. 548, datë 27.7.2016, të ndryshuar, që bën fjalë për rregullat e përfitimit të pensioneve shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.
Njësimi i pagës referuese nga DAP-i që bëhet duke marrë parasysh njësimin e institucioneve për efekt page, do të përfshijë edhe pozicionet e punës në drejtoritë e përgjithshme të ish-Sigurimeve Shoqërore. “Pozicionet e punës në drejtoritë e përgjithshme të bankave të nivelit të dytë dhe në ish Institutin e Sigurimeve, nga “titullar institucioni” deri te “specialist”, njësohen me pozicionet homologe të institucioneve qendrore të grupit të tretë, të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve në institucionet e administratës shtetërore.”
Këto pozicione më parë njësoheshin me pozicionet homologe të punës në drejtoritë e përgjithshme në varësi të ministrave të linjës të grupit të parë.
Po kështu një ndryshim është bërë në lidhje me përfitimin e pagesës kalimtare për funksionarët apo nëpunësit që kryejnë funksione kushtetuese apo ushtrojnë detyra në institucionet e administratës publike dhe që janë përfitues të skemës së sigurimeve suplementare, e cila do të përfitohet në momentin e ndërprerjes së funksionit dhe jo të largimit siç cilësonte VKM-ja e mëparshme.
Pagesa kalimtare pas ndërprerjes së funksionit përfitohet e ndryshme sipas grupeve, duke filluar nga dy deri në tri paga mujore, 40% ose 50% e pagës referuese dhe jo më shumë se 3 vjet nga momenti i ndërprerjes së funksionit.
Aktualisht, kontributet që paguajnë personat e punësuar në fondin e sigurimit shtetëror suplementar janë:
- 4% të shumës bruto të listëpagesave, për personat e grupit të parë, sipas përcaktimeve të ligjit për pensionet suplementare, ku përfshihen Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, deputetët dhe personalitete të tjerë të lartë;
- 3% të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit për pensionet suplementare, ku përfshihen Sekretarët e Shtetit, zëvendësministrat, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit etj;
- 2% të shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, ku përfshihen specialistë dhe persona të tjerë në funksion dhe sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave.
Pensionet shtetërore suplementare indeksohen. Koha dhe masa e indeksimit përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave./ekofin.al