Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka nxjerrë 806 vendime për vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis gjatë vitit 2023 dhe 909 të tjera në vitin 2024, por evidencat për ndjekjen e tyre përmes monitorimit janë dukshëm më të kufizuara. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në vitin 2023 rezultojnë vetëm 320 raste të regjistruara për raportim dhe në vitin 2024 vetëm 72, ndërkohë që auditimi ka evidentuar edhe verifikime të pakta në terren, mungesë të mendimeve nga institucionet dhe pjesëmarrje të ulët në konsultimet publike.
Gjetjet janë pjesë e raportit përfundimtar të KLSH-së për Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe agjencitë rajonale, ku është shqyrtuar procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis për projektet dhe aktivitetet që kërkojnë miratimet përkatëse.
Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2023 në AKM u paraqitën 1,114 aplikime të reja për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërsa institucioni trajtoi dhe mbylli me vendimmarrje 1,536 raste. Nga këto, 806 përfunduan me vendime për VNM paraprake dhe gjashtë me vendime për VNM të thelluar.
Në vitin 2024, numri i aplikimeve të reja u rrit në 1,161, ndërsa rastet e trajtuara me vendimmarrje arritën në 2,059. Gjatë këtij viti u nxorën 909 vendime për VNM paraprake dhe katër për VNM të thelluar.
Për periudhën janar–shtator 2025, janë regjistruar 1,094 aplikime të reja, ndërsa janë trajtuar me vendimmarrje 2,404 raste. Nga këto, 396 përfunduan me vendim për VNM paraprake dhe vetëm një me vendim për VNM të thelluar.
Megjithatë, KLSH-ja konstaton se numri i vendimeve të nxjerra nuk është shoqëruar me evidenca përkatëse të monitorimit të mëvonshëm.
Sipas auditimit, vendimet për VNM paraprake duhet të ndiqen përmes raportimit dhe monitorimit pas hyrjes së tyre në fuqi, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në legjislacion.
Nga databaza e administruar nga AKM rezulton se për vitin 2023 ishin regjistruar për raportim vetëm 320 raste, kundrejt 806 vendimeve për VNM paraprake.
Për vitin 2024, rastet e konsideruara për raportim ishin 72, kundrejt 909 vendimeve të nxjerra.
Ndërsa për vitin 2025, deri në fund të shtatorit, rezultojnë 13 raste të konsideruara për raportim kundrejt 396 vendimeve për VNM paraprake. Për këtë periudhë duhet mbajtur parasysh edhe afati gjashtëmujor i monitorimit pas hyrjes në fuqi të vendimeve.
KLSH-ja vlerëson se mospërputhja ndërmjet numrit të vendimeve dhe rasteve të evidentuara për raportim tregon pasaktësi në evidenca dhe mangësi në ndjekjen e detyrimeve të monitorimit aktiv.
Projektet shqyrtohen edhe pa mendimet e institucioneve përgjegjëse
Raporti i auditmit ngre si problematikë mënyrën se si realizohen konsultimet ndërinstitucionale për projektet me ndikim në mjedis.
Sipas KLSH-së, në shumicën e procedurave për deklaratat mjedisore dhe vlerësimet e ndikimit në mjedis, institucionet e konsultuara shpesh nuk kanë dhënë mendim.
Në këto raste, mungesa e përgjigjes është trajtuar si miratim në heshtje, ndërsa vendimet rezultojnë kryesisht formale dhe të mbështetura në referenca ligjore.
Ndër institucionet që duhet të japin mendime, në varësi të natyrës së projektit, përfshihen bashkitë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
KLSH-ja ka gjetur raste konkrete ku procedurat e shqyrtimit të projekteve janë zhvilluar pa mendimet e disa prej këtyre institucioneve.
Një rast lidhet me projektin për ndërtimin e HEC Osmani në përroin Zalli i Liconës, në Bulqizë të Dibrës, me fuqi të instaluar 2 MW. Sipas auditimit, në procedurën e VNM-së paraprake për këtë projekt mungonte marrja e mendimit nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Bashkia Dibër.
Gjithashtu, në konsultimin publik të zhvilluar më 1 tetor 2025 është konstatuar pjesëmarrje e ulët, ndërsa kanë munguar përfaqësues të strukturave përgjegjëse për pyjet dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Në një rast tjetër lidhet me një projekt për impiant eolik në zonën e Qafës së Shullanit, në Bashkinë Vau i Dejës, KLSH evidenton se bashkia ishte shprehur kundër zhvillimit të projektit deri në rregullimin e marrëdhënies ndërmjet investitorit dhe njësisë vendore.
Krahas mangësive në konsultimet ndërinstitucionale, auditimi ka konstatuar se numri i verifikimeve në terren nga grupet e punës së Agjencive Rajonale të Mjedisit është shumë i ulët në raport me aplikimet për deklarata mjedisore ose VNM paraprake.
Sipas KLSH-së, kjo dobëson mundësinë që vendimmarrja të mbështetet në verifikime konkrete të kushteve të projektit dhe ndikimit të tij të mundshëm në territor.
Në përfundim, KLSH vlerëson se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis karakterizohet nga mangësi në koordinimin ndërinstitucional, verifikimet në terren dhe pjesëmarrjen e publikut.
Për këtë arsye, institucioni rekomandon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve që shqyrtojnë projektet, rritjen e numrit të verifikimeve në terren mbi bazë risku dhe përmirësimin e konsultimeve publike./ekofin.al

