Microsoft arriti për herë të parë një kapitalizim tregu mbi 4 trilionë dollarë gjatë hapjes së tregut të enjten, pas publikimit të fitimeve mbresëlënëse për tremujorin e katërt një ditë më parë.
Kompania zbuloi për herë të parë se Azure — motori i ambicieve të saj në inteligjencën artificiale — gjeneron më shumë se 65 miliardë euro në vit, duke entuziazmuar investitorët.
Të ardhurat vjetore të platformës Azure për llogaritje cloud kapën shifrën 75 miliardë dollarë (rreth 64.9 miliardë euro), një rritje marramendëse prej 34% krahasuar me vitin e kaluar. Deri të mërkurën, Microsoft nuk kishte zbuluar se sa të ardhura sillte Azure.
Ky zbulim tejkaloi pritshmëritë e Wall Street-it dhe qetësoi investitorët që ishin të shqetësuar për ndërtimin e vazhdueshëm dhe të kushtueshëm të qendrave të reja të të dhënave që kërkohen për të përballuar kërkesën për cloud dhe teknologji të IA-së.
Raporti për fundin e vitit fiskal tregoi gjithashtu një rritje prej 24% në fitimin tremujor të kompanisë.
“Ne po zgjerojmë kapacitetin tonë të qendrave të të dhënave më shpejt se çdo konkurrent tjetër,” tha CEO Satya Nadella gjatë një telefonate me investitorët, duke theksuar se kompania tani ka më shumë se 400 qendra të tilla në gjashtë kontinente.
Si një platformë për llogaritje cloud — që do të thotë ofrim i fuqisë kompjuterike, hapësirës së ruajtjes dhe mjeteve përmes internetit, jo në servera lokalë — Azure i ofron bizneseve dhe institucioneve mundësinë për të operuar faqe dhe aplikacione, për të ruajtur dhe rikuperuar të dhëna, si dhe për të analizuar volume të mëdha informacioni.
Azure gjithashtu përdoret për projekte të inteligjencës artificiale, duke ofruar infrastrukturën për ndërtimin, trajnimin dhe zbatimin në shkallë të modeleve të IA-së. Me fjalë të tjera, Azure u mundëson kompanive të inovojnë dhe të rriten pa shpenzimet dhe kompleksitetin e mirëmbajtjes së pajisjeve të veta.
Microsoft e nisi Azure më shumë se një dekadë më parë, por shërbimi është bërë gjithnjë e më i ndërlidhur me ambiciet e saj në IA, pasi kompania synon t’u shesë chatbot-et dhe mjetet e tjera të saj bizneseve të mëdha që tashmë varen nga shërbimet e saj online bazë.
Megjithatë, Azure ende mbetet pas konkurrentit kryesor, Amazon Web Services, i cili raportoi të ardhura prej 107.6 miliardë dollarësh (rreth 94 miliardë euro) për vitin fiskal që përfundoi në dhjetor.
Shkurtime kostoje përmes largimeve nga puna
Ndërtimi i infrastrukturës për të fuqizuar teknologjitë cloud dhe IA është i kushtueshëm, dhe Microsoft ka kërkuar kursime diku tjetër. Ajo ka shpallur rreth 15,000 largime nga puna këtë vit, edhe pse fitimet janë rritur ndjeshëm.
Nadella u tha punonjësve javën e kaluar se këto largime po e rëndojnë emocionalisht, por i paraqiti ato si një mundësi për të rimenduar misionin e kompanisë në epokën e IA-së.
Megjithatë, numri total i punonjësve nuk ka ndryshuar. Kompania deklaroi se kishte 228,000 të punësuar me kohë të plotë më 30 qershor — e njëjta shifër si një vit më parë — megjithëse tani një pjesë më e madhe e tyre ndodhen në SHBA dhe më pak në rolet e mbështetjes së produkteve ose shërbimeve konsulence.
Premtime për një qasje më “të dobët në peshë” janë mirëpritur nga Wall Street-i, veçanërisht teksa Microsoft dhe gjigantë të tjerë teknologjikë po përpiqen të justifikojnë shpenzimet marramendëse për ndërtimin e qendrave të të dhënave, çipave dhe komponentëve të tjerë të nevojshëm për teknologjitë e IA-së.
Microsoft nuk bëri të ditur të mërkurën se në çfarë mase tarifat e reja amerikane po ndikojnë të ardhurat e saj, por raporti vjetor përmend tarifat mes shumë rreziqeve me të cilat kompania përballet.
“Paqëndrueshmëritë në rritje gjeopolitike dhe ndryshimi i prioriteteve të administratës amerikane krijojnë një peizazh tregtar të paparashikueshëm,” thuhet në raport. Aty shtohet gjithashtu se “paqëndrueshmëria e tarifave amerikane ka shkaktuar pasiguri ekonomike dhe mund të ndikojë në konkurrueshmërinë e kostos në zinxhirin e furnizimit për cloud dhe pajisje.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
