Depozitimi në landfille vijon të jetë forma më e përhapur e menaxhimit të mbetjeve urbane. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, kjo formë menaxhimi përdoret në rreth 76.5% të rasteve.
Sipas të dhënave, në vitin 2023 u menaxhuan rreth 844.157 tonë mbetje urbane, ndërkohë që në vitin 2022 kjo sasi ishte 820.322 tonë.
Në vitin 2023 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane është 10,30% ndaj sasisë gjithsej, nga 11,62 % që ka qënë në 2022.

Nëse do i referoheshim kategorive kryesore të mbetjeve urbane të menaxhuara, mbetjet organike vazhdojnë të dominojnë menaxhimin e mbetjeve urbane. Kjo kategori zë peshën më të madhe të mbetjeve urbane të menaxhuara, 57-58 %, pa ndryshime në tre vitet e fundit.
Kategoritë Plastikë, Qelq dhe Letër, Karton përbëjnë grupin e mbetjeve, pesha e të cilave ka ardhur duke u rritur në strukturën e përgjithshme të mbetjeve të menaxhuara urbane.
Nëse do i referoheshim kategorive kryesore të trajtimit të mbetjeve, vetëm 4,55 % e mbetjeve urbane janë djegur për qëllime energjie vitin e kaluar. Riciklimi është një formë e mirë e trajtimit të mbetjeve, ku gjatë vitit 2023 u ricikluan 18,81 % e sasisë së përgjithshme, me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa depozitimi në Landfille dhe fusha mbetjesh, të miratuara si depozita të përkohshme nga bashkitë, vazhdon të jetë metoda më e përdorur për menaxhimin e mbetjeve, bën të ditur INSTAT. /ekofin.al
