Familjet shqiptare, veçanërisht ato në zonat rurale, do të nxiten të kompostojnë vetë mbetjet bio në kushtet e shtëpisë.
Ligji i ri i menaxhimit të mbetjeve, ua ngarkon bashkive inkurijimin e kësaj nisme, e cila do të kthehet gradualisht në një praktikë të detyrueshme. Kjo nënkupton fushata ndërgjegjësimi, udhëzime praktike, mbështetje teknike dhe instrumente ekonomikë për familjet që zgjedhin ta bëjnë vetë trajtimin e mbetjeve të tyre organike.
Sipas dokumentit, për menaxhimin e mbetjeve bio, bashkitë detyrohen të investojnë në infrastrukturë, që do të thotë koshë të ndarë, pika të dedikuara grumbullimi dhe impiante kompostimi për të siguruar riciklimin në burim dhe trajtimin e mbetjeve bio sipas standardeve evropiane. Ligji sjell gjithashtu rregulla më të rrepta për menaxhimin e vajrave të përdorura, duke synuar reduktimin e ndotjes dhe rritjen e rigjenerimit të tyre.
Bashkitë duhet të sigurojnë ndarjen dhe riciklimin në burim të mbetjeve bio, duke mos lejuar përzierjen e tyre me mbetje të tjera. Për këtë arsye, njësitë vendore do të investojnë në infrastrukturë të posaçme, sidomos impiante të kompostimit në çdo zonë apo grupe zonash, sipas numrit të popullsisë.
Mbetjet bio do të trajtohen sipas standardeve evropiane
Ligji parashikon që mbetjet bio të kombinohen vetëm me materiale të tjera biodegradueshme që plotësojnë standardet e kompostimit, duke synuar krijimin e produkteve cilësore dhe të sigurta për mjedisin. Ministria, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve dhe bashkitë detyrohen të përdorin të gjitha mjetet e tyre ligjore dhe ekonomike për të rritur nivelin e riciklimit dhe kompostimit në rang kombëtar.
Në vijim, Këshilli i Ministrave do të miratojë masat praktike që do të rregullojnë procesin e ndarjes në burim dhe grumbullimin e diferencuar të bio-mbetjeve nga bashkitë.
Vajrat e përdorura: rregulla më të rrepta për ndotësit e heshtur
Ligji sjell ndryshime të rëndësishme edhe për menaxhimin e vajrave të përdorura, një ndër burimet më problematike të ndotjes tokësore dhe ujore.
Sipas nenit 47, vajrat e përdorura duhet të grumbullohen veçmas dhe nuk lejohet përzierja e tyre me mbetje të tjera, sidomos kur kjo pengon proceset e rigjenerimit. Prioritet i jepet riciklimit dhe rigjenerimit, duke ulur sasinë e vajrave që përfundojnë në mjedis.
Të gjitha bizneset dhe operatorët që trajtojnë vajra të përdorura do të pajisen me leje mjedisore me kushte specifike. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave do të miratojë rregullat e reja teknike, ekonomike dhe vullnetare për trajtimin e tyre.
Ligji parashikon edhe gjobë për çdo person, që trajton vajra të përdorura pa leje mjedisi në vlerën nga 3 milionë deri në 4 milionë lekë dhe po e njëjta masë ndëshkimore për çdo person, që trajton vajra të përdorura në kundërshtim me parashikimet e lejes së mjedisit./ekofin.al
