Grupi Vodafone dhe Vodafone Ukraina do të ndërtojnë një linjë të re nënujore që do të shtrihet përgjatë Detit të Zi.
I konceptuar si një korridor digjital modern që lidh Evropën me Azinë, sistemi nënujor Kardesa do të ketë pikën e parë të ankorimit në Bullgari në vitin 2027, e ndjekur nga pika të tjera në Turqi, Gjeorgji dhe Ukrainë. Sipas njoftimit, ndërtimi në territorin ukrainas do të zhvillohet vetëm në zona të sigurta ndërkombëtarisht të njohura brenda vendit.
Projekti do të menaxhohet dhe realizohet nga kompania britanike Xtera, me një kosto të parashikuar mbi 100 milionë euro. Kablli do të ofrojë një kapacitet prej mbi 500 terabit për sekondë përmes territorit të Detit të Zi.
Në një postim në LinkedIn, Mykhailo Fedorov, zëvendëskryeministër i parë i Ukrainës, theksoi se sistemi do të anashkalojë rrugët ruse, duke shtuar se projekti është thelbësor për zhvillimin e strategjisë kombëtare të komunikimeve elektronike të vendit: “Kardesa është një projekt madhor për Ukrainën, pasi do të forcojë sovranitetin digjital dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës së telekomunikacioneve, do ta vendosë Ukrainën si një qendër kyçe të trafikut të internetit midis Europës dhe Azisë, duke anashkaluar Rusinë, do të tërheqë investime në sektorin e telekomit dhe do të sigurojë akses të shpejtë dhe të sigurt në internet për qytetarët ukrainas. “Ukraina mbështet të gjitha nismat teknologjike më të avancuara dhe ofron partneritet të besueshëm në projekte të përmasave globale,” – shtoi Fedorov.
Vodafone Group do të mbështesë Vodafone Ukrainën në këtë sipërmarrje. Kjo e fundit, si treg Partner i grupit, është në pronësi të plotë të Neqsol Holding. Sipas njoftimit të përbashkët të kompanive, projekti do të rrisë lidhjen dhe shpejtësinë e internetit për përdoruesit lokalë, ndërkohë që do të nxisë investimet e huaja në ekonomitë digjitale të secilit vend.
Ky projekt vjen pas iniciativave të ngjashme të Vodafone, si sistemi i kabllit Beaufort, një kabëll nënujor pa përforcues që lidh Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, zhvilluar në bashkëpunim me Amazon (AWS). /ekofin.al
