Studentët shqiptarë kanë humbur peshë mes studentëve ndërkombëtarë në dy prej destinacioneve tradicionale të studimit jashtë vendit, Greqi dhe Itali. Të dhënat e reja të OECD-së tregojnë se në Greqi shqiptarët përbënin 9% të studentëve ndërkombëtarë në vitin 2015, ndërsa në 2024 pjesa e tyre kishte zbritur në 6%. Në Itali ndryshimi është edhe më i dukshëm: Shqipëria ishte në vitin 2015 vendi i dytë kryesor i origjinës së studentëve të huaj, me 13% të totalit, ndërsa në 2024 nuk figuron më mes pesë vendeve kryesore.
Të dhënat publikohen në raportin Për Arsimin 2026 të OECD-së dhe tregojnë se gjatë një dekade ka ndryshuar ndjeshëm përbërja e studentëve ndërkombëtarë në universitetet e këtyre vendeve në vitet 2015 dhe 2024.
Në Greqi, Qiproja mbetet me diferencë burimi kryesor i studentëve ndërkombëtarë. Pesha e saj është rritur nga 60% në 2015 në 68% në 2024. Shqipëria, në të kundërt, ka zbritur nga 9% në 6%, megjithëse vazhdon të jetë një prej vendeve kryesore të origjinës. Gjermania përbënte 6% në 2015 dhe 5% në 2024, ndërsa në listën e fundit hyn edhe Rusia me 3%.
Ndryshimi është më i fortë në Itali. Në vitin 2015 Shqipëria përbënte 13% të studentëve ndërkombëtarë, duke qenë burimi i dytë kryesor pas Kinës. Pas saj renditeshin Rumania me 8%, Irani me 4% dhe Greqia me 3%. Në vitin 2024, pesë burimet kryesore janë Irani me 12%, Turqia me 6%, Kina, India me 5% dhe Greqia me 3%. Shqipëria nuk shfaqet më në pesëshen e parë. Për rrjedhojë, të dhënat provojnë një rënie të peshës relative të Shqipërisë si vend origjine, por jo automatikisht një rënie të numrit të studentëve shqiptarë.
Në rastin e Italisë, ndryshimi sugjeron një diversifikim të fortë të flukseve ndërkombëtare të studentëve gjatë dekadës, me rritjen e peshës së vendeve si Irani, Turqia dhe India. Për Shqipërinë, megjithatë, dalja nga pesë burimet kryesore është një ndryshim i dukshëm krahasuar me pozicionin që mbante në vitin 2015./ekofin.al

