Close Menu
Ekofin
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English

Nga Paqësori te Myzeqeja: Çfarë mund të nënkuptojë El Niño për fermerët shqiptarë

10:15 - Korrik 26, 2026

“Turisti per Caso”: Ksamili, destinacioni shqiptar që po kryeson listat turistike të Evropës për verën 2026

10:10 - Korrik 26, 2026

Më pak kryetarë, më shumë zhvillim

09:39 - Korrik 26, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook Instagram X (Twitter) LinkedIn
EkofinEkofin
Subscribe
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English
Ekofin

Më pak kryetarë, më shumë zhvillim

09:39 - Korrik 26, 2026 Blog
Screenshot
Shpërndaje
Facebook Twitter Pinterest Email WhatsApp

Nga Dritan Shano

Debati për pushtetin vendor ka ngecur tek pyetja e gabuar. Flasim për hartën, kur duhet të flasim për zhvillimin. Numërojmë bashkitë, kur duhet të matim atë që ato prodhojnë. Një bashki nuk ekziston për të administruar territorin. Ekziston për ta zhvilluar atë.

Pyetja që përsëritet papushim është: a duhet Shqipëria të ketë 61 bashki, më shumë apo më pak? Dikur kishim 373. Nesër mund të kemi 91 ose 45. Pyetja nuk është sa bashki duhet të kemi. Kjo u intereson pak vetëve të përhershëm. Pyetja është çfarë duhet të jenë ato. Vetëm pasi t’i përgjigjemi kësaj, numri fillon të ketë kuptim.

Gabimi ynë është më i thellë sesa mënyra si e organizojmë bashkinë. Është mënyra si e përfytyrojmë atë. E kemi përfytyruar si institucion administrativ dhe përfaqësues. Por administrimi është minimumi që pritet nga një bashki. Ashtu si kontabiliteti nuk është qëllimi i një kompanie, administrimi nuk është qëllimi i një bashkie. Është kushti që i lejon të bëjë atë për të cilën ekziston: të krijojë zhvillim. Edhe përfaqësimi ka peshën e vet, por ai është funksion demokratik, jo funksion ekonomik. Përfaqësimi nuk ndërton një rrugë, nuk tërheq një investitor dhe nuk fiton një grant europian. Një bashki nuk e meriton ekzistencën sepse thjesht administron. As sepse përfaqëson. Legjitimohet sepse zhvillon.

Ne vazhdojmë ta trajtojmë bashkinë si zyrë administrative. Europa e trajton si institucion ekonomik të zhvillimit, që konkurron për fonde, negocion me investitorë dhe krijon kushtet për rritjen e ekonomisë vendore.

Dhe pikërisht këtu fillon rezistenca. Copëzimi nuk prodhon vetëm administratë. Prodhon pushtet. Çdo bashki shtesë krijon një kryetar, një kabinet, një këshill, një administratë, dhjetëra emërime dhe dhjetëra kontrata. Me to krijohen rrjete ndikimi që nuk kanë interes të ndryshojnë gjendjen e sotme. Administrata pushon së qeni instrument zhvillimi dhe bëhet instrument besnikërie politike.

Në njësitë e vogla, ndikimi personal zëvendëson forcën e institucionit. I forti lokal fiton peshë jo sepse zhvillon territorin, por sepse kontrollon aksesin te një vend pune, një leje ose një favor. Prandaj varfëria nuk është e pandehura e këtij modeli. Është lënda e parë e tij. Aksesi te një ndihmë ose te një leje bëhet monedhë politike. Zhvillimi e shkatërron këtë monedhë. Ata që kërkojnë më shumë bashki duan të ruajnë pushtetin për të administruar varfërinë, sepse në një territor të pasur nuk kanë çfarë të administrojnë.

Prandaj reformat administrative rrallë pengohen nga argumentet teknike. Pengohen nga ekonomia politike, sepse nuk sfidojnë teori, por interesa. Dhe pikërisht këtu matet serioziteti i politikës: jo te gatishmëria për të vizatuar një hartë të re, por te gatishmëria për të hequr dorë nga instrumente që prodhojnë kontroll politik në këmbim të institucioneve që prodhojnë zhvillim.

Zhvillimi nuk lind nga dëshira dhe as nga sloganet. Ai kërkon kapacitet: njerëz që dinë të projektojnë një ujësjellës, të hartojnë një plan urbanistik, të menaxhojnë një projekt europian ose të negociojnë një investim të madh. Këto aftësi nuk shumëzohen duke vizatuar kufij të rinj. Mund të shtosh bashki sa të duash, por nuk shton dot inxhinierë, urbanistë apo specialistë të fondeve europiane. Dhjetë administrata nuk krijojnë dhjetë herë më shumë kapacitet. Krijojnë dhjetë herë më shumë përsëritje. Dhjetë herë më shumë favore, jo dhjetë herë më shumë shërbime.

Se administrata është kosto fikse. Kryetari, këshilli, kabineti dhe godina kushtojnë pothuajse njësoj për një bashki me pesë mijë banorë sa për një me pesëdhjetë mijë. Kur copëzon njësinë, shumëzon kostot fikse. Jo shërbimin. Sot 45,7 për qind e buxhetit vendor shkon për paga dhe 32,3 për qind për shpenzime operative, ndërsa vetëm 22 për qind mbetet për investime. Para reformës së vitit 2014 pesha e pagave ishte rreth 70 për qind. Konsolidimi e përmbysi këtë raport. Kthimi pas do ta përmbyste përsëri.

Kjo nuk do të thotë se problemi janë edukatoret e çerdheve, punonjësit socialë apo zjarrfikësit. Përkundrazi. Shtimi i bashkive nuk e përforcon vijën e parë të shërbimit, por shtresën administrative mbi të. Pasi, çdo institucion ka një thelb dhe një lëvozhgë. Thelbi janë kapacitetet që prodhojnë zhvillim: inxhinierët, planifikuesit, specialistët e investimeve, shërbimet që mbrojnë qytetarin. Lëvozhga është struktura politike që i rrethon: kryetari, kabineti, këshilli, administrata mbështetëse. Reforma nuk synon të hollojë thelbin. Synon të hollojë lëvozhgën, që më shumë burime të shkojnë te thelbi.

Kapaciteti nuk është vetëm administrativ. Është edhe ekonomik. Kapaciteti ekonomik është baza që prodhon të ardhura, dhe pragjet e kësaj baze nuk janë proporcionale. Janë absolute. Një bashki me dyqind ndërmarrje aktive nuk mban zyrë investimesh, sado mirë t’i shkruajë strategjitë. Një bashki me dy mijë e mban. Kur i gjithë buxheti vjen nga qendra, bashkia nuk i përgjigjet ekonomisë që e mban, sepse nuk ka një ekonomi që e mban atë vetë. Nuk ka ekonomi për të zhvilluar. Ka vetëm varfëri për të administruar.

Ky arsyetim më çon në një përfundim praktik. Shqipëria mund të funksionojë me rreth gjysmën e 61 bashkive që ka sot. Jo sepse ekziston, apo kam në mendje një numër magjik. Sepse, me demografinë, kapacitetet dhe ekonominë që kemi, ky është rendi i madhësisë që i shërben zhvillimit. Numri del në fund, si rezultat, jo si pikënisje.

Këtë logjikë ndoqën shumë vende europiane. Danimarka i uli bashkitë nga 271 në 98 në vitin 2007, jo për të kursyer disa zyra, por për t’u dhënë institucioneve vendore kapacitet për përgjegjësi më të mëdha. Finlanda zgjodhi një rrugë tjetër me të njëjtin synim: bashkëpunimin e detyrueshëm ndërbashkiak për shërbimet që kërkojnë shkallë. Edhe OECD nuk pyet sa bashki ka një vend. Pyet nëse ato kanë kapacitet të investojnë, të ofrojnë shërbime dhe të krijojnë vlerë publike.

Kundërshtimi që dëgjohet më shpesh është shembulli i Francës. Por ai paraqitet vetëm përgjysmë. Franca ka ruajtur mbi 34 mijë komuna, por funksionet që kërkojnë shkallë nuk ua ka lënë atyre. Planifikimi i zhvillimit, transporti, menaxhimi i mbetjeve dhe konkurrimi për fondet europiane janë zhvendosur te strukturat ndërkomunale dhe metropolitane. Komuna ka identitetin. Kapaciteti organizohet aty ku prodhon rezultate. Fytyra mbetet lokale. Muskuli bëhet rajonal.

Argumenti i identitetit është më i sinqerti nga të gjithë, dhe më i pambrojtshmi. Të drejtat nuk kanë kod postar. Ato burojnë nga Kushtetuta dhe ligji, jo nga kufijtë administrativë. Identiteti mbrohet nga gjuha, shkolla dhe kultura, dhe një bashki më e madhe ka më shumë mundësi për t’i mbështetur ato. Identiteti mbetet themeli i një bashkësie, por nuk mund të jetë themeli i zhvillimit.

Po aq i dobët është argumenti se bashkia e vogël është më pranë qytetarit. Afërsia nuk krijohet duke shumëzuar kryetarët. Krijohet duke afruar shërbimet. Një sportel funksional, një punonjës social ose një platformë dixhitale e afrojnë shtetin më shumë se një karabina tjetër administrative.

Dhe koha nuk punon për modelin e sotëm. Censusi i vitit 2023 numëroi 2,4 milionë banorë, gati 15 për qind më pak sesa në 2011. Shqipëria ka çdo vit më pak banorë, më pak profesionistë dhe më pak taksapagues. Nuk mund t’i përgjigjemi kësaj duke krijuar gjithnjë e më shumë administrate, plote me kushërin apo anëtarë partie.

Mund të vazhdojmë të mbrojmë një model që shumëzon poste, shpërndan pushtet lokal dhe konsumon kapacitet. Ose mund të ndërtojmë institucione më të forta, që prodhojnë zhvillim. Copëzimi shitet si decentralizim. Prodhon të kundërtën. Sa më e vogël njësia, aq më shumë varet nga transferta e qendrës, dhe aq më i pafuqishëm bëhet kryetari që e kërkoi. Kërkesa për më shumë kryetarë është, në fund, kërkesë për më shumë centralizim. Na duhen bashki me më shumë fuqi për të bërë gjëra, jo më shumë pushtet politik. Fuqia për të zhvilluar nuk është e njëjta gjë me pushtetin për të sunduar. Dhe kur të vijë dita e votimit në Kuvend, shpresoj që deputetët e përzgjedhur aty të mos fshihen pas gishtit dhe të mos votojnë atë që u leverdis. Këtë herë, shpresoj të votojnë për atë që i duhet Shqipërisë.

Ekofin Media
Ekofin Media
Dritan Shano kryetare reforma zhvillim
Shpërndaje. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

Të ngjashme

Nga 61 bashki në 41?

14:07 - Korrik 24, 2026

Manifaktura ka nevojë për Evropën, por sot më shumë se kurrë Evropa ka nevojë për Manifakturën Shqiptare

08:13 - Korrik 24, 2026

Nga Tiki-Taka te Telco: Pas Botërorit, Europa duhet të fitojë sfidën dixhitale

16:35 - Korrik 23, 2026
Komento
Leave A Reply Cancel Reply

Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media

Të hënën pezullohet për 4 orë qarkullimi në Kakavijë dhe Qafë-Botë

gazetar_215:09 - Korrik 25, 20260

Policia Kufitare e Sarandës dhe Kakavijës njofton qytetarët se dogana greke në Pikën e Kalimit…

Tendera pafund për mirëmbajtje rrugësh, por akset nuk kanë as vijëzim në kulm të sezonit turistik

12:05 - Korrik 25, 2026

AKM: Përmbytjet shkaktuan 100 milionë dollarë humbje në bujqësi në 1 dekadë

11:05 - Korrik 25, 2026

Rimbursohen 750 mijë euro nga DIVA 2025, mbi 4,500 qytetarë kanë marrë kthimin e tatimit

09:23 - Korrik 25, 2026
Na Ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Ekofin Media
Rreth nesh
Rreth nesh

Informacione, analiza, të dhëna rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare. Qytetarët në fokus. Gjithçka për transparencën. Ekofin Albania.

15:09 - Korrik 25, 2026

Të hënën pezullohet për 4 orë qarkullimi në Kakavijë dhe Qafë-Botë

12:05 - Korrik 25, 2026

Tendera pafund për mirëmbajtje rrugësh, por akset nuk kanë as vijëzim në kulm të sezonit turistik

11:05 - Korrik 25, 2026

AKM: Përmbytjet shkaktuan 100 milionë dollarë humbje në bujqësi në 1 dekadë

Nga Paqësori te Myzeqeja: Çfarë mund të nënkuptojë El Niño për fermerët shqiptarë

10:15 - Korrik 26, 2026

“Turisti per Caso”: Ksamili, destinacioni shqiptar që po kryeson listat turistike të Evropës për verën 2026

10:10 - Korrik 26, 2026

Më pak kryetarë, më shumë zhvillim

09:39 - Korrik 26, 2026
© 2026 Ekofin. Crafted with love by BeeTech Solutions.

Shkruani togfjalëshin dhe shtypni Enter