Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar jopublik, kopshti “Katër Stinët”, me vendndodhje në rrugën Myslym Shyri në Tiranë.
Sipas dokumentit zyrtar të konsultuar nga ekofin.al, mbyllja është kryer me kërkesë të vetë subjektit juridik “4 Stinët” sh.p.k, i cili kishte njoftuar paraprakisht ndërprerjen e aktivitetit më 25 shtator 2025. Ekofin mëson se gjatë muajit gusht, institucioni kishte bërë të ditur përmes njoftimeve publike mbylljen e kopshtit dhe nxjerrjen në shitje të pajisjeve dhe mobiljeve që kishin qenë pjesë e mjediseve arsimore.
Në urdhër parashikohen disa detyrime për institucionin, përfshirë dorëzimin e të gjithë dokumentacionit të veprimtarisë mësimore në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Tiranë; kthimin e pagesave të prindërve për pjesën e papërfunduar të arsimit parashkollor; si edhe bashkëpunimin me autoritetet arsimore për mbylljen e plotë të procesit administrativ.
Ndërkohë, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë është ngarkuar të ngrejë një grup pune brenda 3 ditëve nga hyrja në fuqi e urdhrit për të administruar dokumentacionin dhe për të garantuar arkivimin e tij sipas legjislacionit në fuqi.
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria Rajonale Arsimore janë ngarkuar me monitorimin e zbatimit të procedurave të mbylljes.
Me hyrjen në fuqi të këtij urdhri, shfuqizohet leja e funksionimit e dhënë më 3 dhjetor 2001, me të cilën kopshti “Katër Stinët” kishte nisur veprimtarinë si institucion arsimor jopublik në Tiranë. /ekofin.al
