Autoriteti mbikëqyrës këshillimor i Komisionit Europian ftoi vendet e BE-së me borxhe të tepërta të frenojnë shpenzimet e mëdha, si dhe tkurrin deficitet e tyre, të cilat u vlerësuan si të tepërta. Në një raport, Bordi Fiskal Europian – EFB tha se pesë vendet e Eurozonës që konsiderohen ‘me rrezik të lartë në afat të mesëm’, përkatësisht Belgjika, Greqia, Spanja, Franca dhe Italia, duhet të bëjnë më shumë për të riparuar financat e tyre.
Vendet në fjalë “duhet të shfrytëzojnë rastin për të bërë një përpjekje shtesë për të ulur deficitet e tyre fiskale. Politikat kombëtare fiskale duhet të trajtojnë hendekun e shpenzimeve, duke mbrojtur investimet”, theksuan zyrtarët e këshillit.
Raporti thekson se nevoja për veprim është më urgjente sesa kur u krijua këshilli në 2016-ën për të propozuar reforma pas krizës së borxhit të rajonit. Misioni i tij kryesor është të kontribuojë në ushtrimin e detyrave të komisionit në kuadër të mbikëqyrjes fiskale shumëpalëshe të eurozonës.
Publikimi i ri përkon me shqyrtimin e financave të Francës në një kohë kur zgjedhjet e së dielës mund të çojnë në rezultate që, sipas një raporti nga ‘Scope Ratings’, mund të ushtrojnë presion mbi regjimin financiar të vendit. Ndër rreziqet më të gjera, përmendet “ngrirja” e mundshme e nismave europiane, por edhe një goditje të mundshme ndaj rregullave të reja fiskale të BE-së.
