Mjetet e importuara nga Koreja e Jugut vijojnë të dominojnë tregjet e makinave të përdorura në Shqipëri. Referuar shifrave të bëra publike nga DPSHTRR, për 5 muajt e parë të vitit, 20.4% e mjeteve janë importuar nga Republika e Koresë.
Italia dhe Gjermania ndjekin, respektivisht me 16.1% dhe 15.9% të mjeteve, ndërsa më tej vjen Zvicra me 9.1%; Kina me 7.3% dhe SHBA me 7.8%.
Regjistrimi i mjeteve në Shqipëri vijon të jetë i lartë nga viti në vit. Të dhënat zyrtare nga DPSHTRR për periudhën Janar-Maj 2025 raportojnë për 38,028 mjete të regjistruara ndër të cilat 81.2% e totalit janë autovetura, +102% regjistrime krahasuar me Janar-Maj 2019.
Po kështu, sipas shifrave është rinovuar flota me 6,786 mjete të gjeneratës së fundit, 0-3 vite për periudhën Janar-Maj 2025, ose 64% më shumë regjistrime krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin 2023.
Periudha Janar-Maj 2025 numëron 3,137 çregjistrime të përhershme ose 15% më shumë krahasuar me 2024.
DPSHTRR krahas udhëzimit për të gjithë drejtuesit e rinj të mjeteve dhe ata ekzistues që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kryejnë kontrollet periodike të mjetit, u kujton që përpara se të importojnë një mjet, të kryejnë verifikimin e kategorisë mjedisore./ekofin.al




