Shqipëria ka regjistruar mbi 10.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se fluksi i hyrjeve të të huajve ka vijuar të zgjerohet edhe gjatë muajit shtator, ndonëse me një ritëm më të moderuar se mesatarja e nëntëmujorit.
Sipas INSTAT, gjatë periudhës janar–shtator 2026 janë regjistruar gjithsej 10,730,391 hyrje të shtetasve të huaj, nga 10,228,686 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përkthehet në rreth 502 mijë hyrje më shumë brenda nëntë muajve.
Në total, duke përfshirë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, hyrjet në territorin e Shqipërisë arritën në 17,476,873, me një rritje prej 5.3% në krahasim me janar–shtatorin e vitit të kaluar.
Ndërkohë, hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 6,746,482, duke u rritur me 6% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Shtatori, mbi 1.28 milionë hyrje të të huajve
Edhe muaji shtator ka ruajtur një fluks të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri.
Sipas INSTAT, gjatë këtij muaji janë regjistruar 1,286,691 hyrje të shtetasve të huaj, nga 1,259,684 në shtator 2025, ose 2.1% më shumë.
Në terma absolutë, kjo përfaqëson rreth 27 mijë hyrje shtesë krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Megjithatë, ritmi i rritjes prej 2.1% në shtator rezulton më i ulët se rritja prej 4.9% e regjistruar për të gjithë periudhën janar–shtator, duke sinjalizuar një ngadalësim të zgjerimit të fluksit të hyrjeve të të huajve në fund të sezonit veror.
Në total, gjatë shtatorit hynë në Shqipëri 2,024,320 shtetas shqiptarë dhe të huaj, me një rritje prej 3% në krahasim me shtatorin 2025.
Nga këta, 737,629 ishin shtetas shqiptarë, numër që rezulton 4.5% më i lartë se një vit më parë.
Mbi 6.8 milionë dalje të shqiptarëve jashtë vendit në nëntë muaj
Paralelisht me rritjen e hyrjeve të shtetasve të huaj, të dhënat e INSTAT tregojnë edhe një zgjerim të lëvizjeve të shqiptarëve drejt vendeve të tjera.
Gjatë periudhës janar–shtator 2026, janë regjistruar 6,860,930 dalje të shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, nga 6,538,416 gjatë nëntëmujorit të vitit 2025.
Kjo përfaqëson një rritje prej 4.9%, ose rreth 322 mijë dalje më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, daljet e shtetasve të huaj arritën në 10,643,448, me një rritje prej 4.7%.
Në total, gjatë nëntë muajve të parë të vitit janë regjistruar 17,504,378 dalje nga Shqipëria, me një rritje prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shtatori, daljet e shqiptarëve rriten me 6.6%
Rritja e lëvizjeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit ka qenë edhe më e theksuar gjatë muajit shtator.
Sipas INSTAT, gjatë këtij muaji janë regjistruar 823,874 dalje të shtetasve shqiptarë, nga 772,655 në shtator 2025.
Në krahasim vjetor, daljet e shqiptarëve janë rritur me 6.6%, ose me mbi 51 mijë dalje më shumë.
Në të kundërt, daljet e shtetasve të huaj nga Shqipëria gjatë shtatorit arritën në 1,317,259, duke shënuar një rënie prej 2.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në total, gjatë shtatorit u regjistruan 2,141,133 dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, me një rritje prej 0.6% në krahasim me shtatorin 2025./ekofin.al
