Edhe gjatë vjeshtës, Shqipëria ka qenë një nga destinacionet e pëlqyera të evropianëve.
Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit Tetor 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.382.481 shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 9,6 %, krahasuar me Tetor 2023.
1.336.717 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Tetor 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 620.845, duke pësuar një rritje me 9,9 %, krahasuar me Tetor 2023.

Në muajin Tetor 2024, 624.227 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 12,0 %, krahasuar me Tetor 2023.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2024, janë 712.490. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 9,8 %

Në Tetor 2024, 94 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës.
Evropa Jugore zë 71 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 13%.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Tetor 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 8,7 %, krahasuar me Tetor 2023.
Rritje të ndjeshme në muajin Tetor kanë pasur dhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale.

