Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka përjashtuar për gjashtë muaj kompaninë “BONUS” sh.p.k. nga e drejta për të fituar kontrata publike, pas një procedimi administrativ të lidhur me një tender të zhvilluar nga Bashkia Kamëz.
Sipas vendimit nr. 31, datë 9 korrik 2026, procedimi ndaj operatorit ekonomik nisi për mënyrën e kualifikimit në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rrugët Bathore, Valias, Laknas”, me numër reference REF-61953-09-18-2025.
APP bën të ditur se hetimi administrativ u mbështet në informacionin periodik të shkëmbyer me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në kuadër të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy institucioneve.
Në përfundim të procedimit, Agjencia arriti në përfundimin se plotësoheshin kushtet e parashikuara në ligjin për prokurimin publik për përjashtimin e një operatori ekonomik në rast të keqinformimit ose dorëzimit të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi.
Ligji i jep APP-së të drejtën të vendosë përjashtimin e një kompanie nga procedurat e prokurimit për një periudhë nga tre muaj deri në tre vjet. Në rastin konkret, ndaj “BONUS” sh.p.k., është vendosur masa e përjashtimit për gjashtë muaj, duke nisur nga hyrja në fuqi e vendimit. /ekofin.al

