Së shpejti, përdoruesit do të mund të blejnë produkte drejtpërdrejt përmes ChatGPT-së të OpenAI, duke përdorur PayPal si mënyrë pagese.
PayPal ka njoftuar një partneritet me OpenAI, që do t’u mundësojë përdoruesve të bëjnë blerje të menjëhershme përmes chatbot-it të inteligjencës artificiale. Sipas marrëveshjes, përdoruesit e PayPal do të mund të paguajnë për produkte përmes një sistemi “checkout” të menjëhershëm, ndërsa shitësit që përdorin PayPal do të kenë mundësi të përfundojnë transaksione brenda ChatGPT-së.
Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i PayPal, Alex Chriss, deklaroi se kompania do të krijojë një përvojë “nga biseda te pagesa me vetëm disa prekjet e ekranit.”
Përdoruesit do të kenë gjithashtu akses në portofolin digjital të PayPal, përfshirë llogarinë bankare, bilancin dhe kartat, gjatë procesit të pagesës së menjëhershme. Përmes integrimit me OpenAI, përdoruesit e PayPal do të jenë në gjendje të ndjekin blerjet e tyre dhe të parashtrojnë kërkesa për mosmarrëveshje në rast problemesh.
Për shitësit që dëshirojnë të ofrojnë produktet e tyre, PayPal tha se do të merret me proceset në sfond — “drejtimin e tregtarëve, verifikimin e pagesave dhe orkestrimin e transaksioneve” — në mënyrë që “miliona produkte të jenë të disponueshme për t’u blerë në ChatGPT.”
OpenAI ka hyrë tashmë në tregtinë elektronike me nismën “Buy it in ChatGPT”, e cila u mundëson përdoruesve në Shtetet e Bashkuara të blejnë drejtpërdrejt nga shitësit e Etsy.
Në shtator, OpenAI njoftoi marrëveshje me më shumë se një milion shitës të Shopify, përfshirë marka si Glossier (kozmetikë), SKIMS e Kim Kardashian, Spanx (veshje të brendshme) dhe Vuori (veshje sportive), me mundësi për karroca blerjesh me shumë artikuj.
Gjithashtu, OpenAI publikoi në open source kodin burimor të përdorur për krijimin e këtij sistemi — të quajtur “Agentic Commerce Protocol” — për t’u dhënë zhvilluesve mundësinë të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Në muajt e fundit, PayPal ka njoftuar gjithashtu marrëveshje për blerje përmes AI-së me Google dhe Perplexity, duke zgjeruar kështu prezencën e saj në tregtinë inteligjente./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
