Pas Malit të Zi edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një dekret që i mundëson Operatorit Kombëtar të Tregut të Energjisë Elektrike (MEMO) të lëshojë garanci për origjinën e energjisë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë afate të ngushta për përafrimin me Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM). Bashkimi Evropian do të fillojë gradualisht, më 1 janar 2026, të vendosë një taksë për importet e çimentos, hekurit dhe çelikut, aluminit, plehrave, hidrogjenit dhe energjisë elektrike. Vendet e treta mund të përjashtojnë të gjithë energjinë elektrike deri në vitin 2030 nëse lidhin tregjet e tyre të energjisë elektrike me BE-në. Eksportet e energjisë elektrike pa karbon, nga burimet e rinovueshme të energjisë, gjithashtu mund të certifikohen me garanci të origjinës ose ndryshe “GO”.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një dekret që i mundëson Operatorit Kombëtar të Tregut të Energjisë Elektrike (MEMO) të lëshojë dokumentet elektronike. Qëllimi i tyre është t’u dëshmojnë blerësve dhe konsumatorëve se një pjesë ose sasi e caktuar e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme.
MEMO, filiali i operatorit të sistemit të transmisionit të vendit MEPSO, tani mund të krijojë dhe adminsitrojë regjistrin e garancive të origjinës. Kjo do të thotë se ai është përgjegjës për regjistrimin e transfertave dhe të ashtuquajturit anulim pasues, kur verifikohet konsumi i energjisë elektrike të rinovueshme.
“Garancitë e origjinës kanë një rëndësi të madhe, veçanërisht për kompanitë vendase që eksportojnë në tregun evropian. Ato do të jenë në gjendje të dëshmojnë se përdorin energji të pastër në operacionet e tyre, që do thotë energji nga burimet e rinovueshme, duke reduktuar kështu gjurmën e karbonit”, tha Ministria e Energjisë, Minierave dhe Mineraleve.
MEMO tha një muaj më parë se u bë një vëzhgues i skemës së energjisë elektrike në Shoqatën e Organeve Emetuese (AIB), një organizatë me qendër në Bruksel që standardizon garancitë e origjinës dhe ky është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.
Taksa e gjurmës së karbonit gjithashtu do të ngarkohet për emetimet indirekte që lidhen me konsumin e energjisë elektrike. Periudha kalimtare përpara paraqitjes graduale të CBAM filloi një vit më parë. Si importuesit ashtu edhe prodhuesit e huaj të lëndëve të para dhe produkteve të përcaktuara po luftojnë për të përmbushur këto kërkesa ligjore.
