Mali i Zi vendos të ndërhyjë duke përcaktuar kritere më strikte sa i përket importit të makinave të vjetra, në mbrojtje të mjedisit. Aktualisht, sipas vlerësimeve, mosha mesatare e një automjeti në shtetin fqinj është rreth 17 vjet. Ndërkohë sipas studimeve, kufiri kritik i moshës së automjeteve pas të cilit rriten pasojat e aksidenteve në trafik është 15 vjet. Nisur nga kjo analizë, Qeveria ka vendosur se duke nisur nga 1 korriku, do të ndalohet importi i makinave më të vjetra se 15 vjet.
Duke sqaruar vendimin për ndalimin e importit të makinave të vjetra, Ministria e Transportit tha se automjetet e përdorura të importuara, nga korriku do të kenë karakteristika më të mira të sigurisë dhe teknike, gjë që do t’i bëjë më të sigurta. Si reagim ndaj këtij vendimi, importi i makinave të përdorura u rrit në mënyrë dramatike në muajt e parë të këtij viti.
Kështu, sipas të dhënave, vetëm në periudhën janar-mars 2024, janë importuar 35% më shumë makina se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me tre-mujorin e parë të vitit 2022, rritja është mbi 100%, sipas të dhënave nga doganat malazeze.
Në vendin me pak më shumë se 630 mijë banorë janë të regjistruara rreth 285 mijë automjete, nga të cilat 242 mijë automjete pasagjerësh. Përveç dy të tretave të atyre më të vjetra se 15 vjet, rreth një e dhjeta janë makina të prodhuara midis 1979 dhe 1999.

