21% ishte rritja që u shënua në muajin korrik për sa i përket shitjes globale vjetore të automjeteve plotësisht elektrike dhe hibride.
Firma e kërkimit të tregut, Rho Motion njoftoi se kjo gjë ka ndodhur falë rritjes më të fortë të Kinës këtë vit dhe pavarësisht rënies së kërkesës në Evropë.
Në BE, MG Motor, në pronësi të SAIC Motor të Kinës, do të goditet më së shumti nga tarifat e përkohshme të vendosura për automjetet elektrike të importuara nga Kina.
Ndikimi i tarifave duhet të jetë më i vogël te Tesla, e cila mund të prodhojë në fabrikën e saj në Berlin, si dhe te gjiganti kinez BYD, prania e të cilit në Evropë mbetet e vogël.
Këto automjete të shitura në mbarë botën, qofshin plotësisht elektrike apo hibride, ishin 1.35 milionë në korrik, nga të cilat 0.88 milionë ishin në Kinë, ku u rritën me 31% nga viti në vit, treguan të dhënat.
Makinat hibride të shitura në Kinë në shtatë muajt e parë të 2024-ës u rritën me 70% nga viti i kaluar. BYD, prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në Kinë dhe në botë, raportoi në të njëjtën periudhë rritje prej 13% në shitjet e saj globale elektrike dhe 44% në ato hibride.
Në Evropë, shitjet mujore ranë me 7.8% në korrik, me shifrat e deritanishme në përputhje me vitin 2023. Në shtatë muajt deri në korrik, ato ranë me 12% në Gjermani, tregu më i madh i BE-së për këto automjete.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, shitjet e automjeteve elektrike u rritën me 7.1% në korrik. Bashkimi Evropian vendosi në korrik tarifa të përkohshme për importet e makinave elektrike të prodhuara në Kinë.
