Konflikti mes aksionarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka dalë tashmë nga sallat e gjyqit dhe është zhvendosur drejtpërdrejt në kantierin e punimeve, duke prodhuar përplasje fizike dhe tension mes përfaqësuesve të kompanive që operojnë në projektin strategjik të aviacionit.
Një situatë e tensionuar u regjistrua mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e aeroportit, ku përfaqësues dhe punonjës të lidhur me njërën nga palët në konflikt kanë penguar hyrjen në kantier të përfaqësuesve dhe stafit të kompanisë tjetër, duke mos i lejuar të vijojnë aktivitetin në zonën e punimeve.
Në qendër të konfliktit qëndron përplasja mes biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili zotëron 98% të aksioneve të kompanisë koncesionare, dhe Valon Ademi, që mban 2% të aksioneve.
Sipas informacioneve, përfaqësues të kompanisë së lidhur me Ademin nuk kanë lejuar hyrjen në kantier të përfaqësuesve të Pacollit, duke pretenduar se aktiviteti i tyre në aeroport është i paautorizuar. Nga ana tjetër, pala e Pacollit argumenton se ka të drejtë ligjore dhe kontraktuale për të ushtruar aktivitetin dhe për të vijuar punimet në projekt.
Përplasja vjen në një moment kur konflikti mes dy aksionarëve po zhvillohet paralelisht në gjykata, ndërsa tensionet duket se po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në terren. Burime pranë palëve bëjnë me dije se situata ka degraduar deri në konfrontime fizike dhe përplasje verbale mes punonjësve dhe përfaqësuesve të kompanive.
Ndërkohë, biznesmeni Pacolli ka paralajmëruar se çështja mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, duke ngritur alarmin për një konflikt me pasoja potenciale jo vetëm financiare, por edhe për ecurinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një investim me rëndësi në sektorin e aviacionit civil në Shqipëri dhe çdo përshkallëzim i konfliktit mes aksionarëve rrezikon të ndikojë në ritmin e punimeve, afatet e projektit dhe klimën e investimeve në vend. /ekofin.al
