Tirana International Airport (TIA) mirëpriti sot fluturimin inaugurues të kompanisë ajrore TAROM, duke shënuar nisjen e një partneriteti të ri dhe fillimin e operimeve të kompanisë në aeroportin e Tiranës.
Linja e re do të operojë me 1 fluturim në javë, çdo të mërkurë, gjatë sezonit veror, duke forcuar lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Rumanisë dhe duke krijuar mundësi të reja për udhëtime, turizëm dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Prania e TAROM në TIA përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të partnerëve ajrorë të aeroportit dhe në rritjen e aksesit drejt tregut rumun. Kjo linjë pritet të kontribuojë në sjelljen e më shumë vizitorëve në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e turizmit dhe duke promovuar vendin si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për udhëtarët ndërkombëtarë.
Për të shënuar këtë moment, në aeroport u organizua një ceremoni simbolike mirëseardhjeje për ekuipazhin dhe pasagjerët e fluturimit të parë.
TIA vijon të zgjerojë rrjetin e partneriteteve me linjat ajrore, duke forcuar rolin e saj si porta kryesore e Shqipërisë drejt Europës dhe më gjerë.


