Një sërë ndryshimesh pritet të ketë në ligjin për regjistrimin e biznesit, me qëllim digjitalizimin e plotë të procedurave, lehtësimin e regjistrimit të shoqërive të huaja e evropiane, dhe integrimin e Shqipërisë në sistemin e ndërlidhjes së regjistrave tregtarë të Bashkimit Evropian (BRIS).
Projektligji i hedhur për konsultim publik parashikon që shoqëritë tregtare, degët e tyre, si dhe shoqëritë evropiane dhe grupimet ekonomike me interes evropian të mund të regjistrohen plotësisht online, pa nevojë të paraqitjes fizike, përveç rasteve të dyshimit për falsifikim ose mosrespektim të rregullave ligjore. Për këtë qëllim, Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) do të ofrojë formate standarde për aktet e themelimit dhe statutet, të disponueshme edhe në gjuhën angleze dhe të aksesueshme përmes Portalit Evropian të e-Drejtësisë.
Regjistrimi i shoqërive të huaja dhe degëve të tyre
Procedurat për regjistrimin e degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja do të kërkojnë dokumentacion të detajuar mbi aktet themeluese, regjistrimin në vendin e origjinës, gjendjen aktuale ligjore dhe financiare, si dhe vendimet për hapjen e degës. Në rastin e shoqërive të themeluara në BE, QKB do të verifikojë informacionin direkt përmes sistemit të ndërlidhjes së regjistrave.
Identifikuesi Unik Evropian (EUID)
Çdo subjekt i regjistruar në Shqipëri do të pajiset me një Identifikues Unik Evropian (EUID), që do të mundësojë identifikimin e qartë në komunikimet ndërmjet regjistrave të BE-së. Ky numër është unik, i pandryshueshëm dhe nuk mund të ripërdoret as pas çregjistrimit të shoqërisë nga subjekte të tjera.
Sistemi i ndërlidhjes së regjistrave (BRIS)
Shqipëria do të bëhet pjesë e sistemit të ndërlidhjes së regjistrave tregtarë të BE-së, duke lejuar shkëmbim automatik të të dhënave mbi shoqëritë dhe degët e tyre në nivel ndërkombëtar. Përmes këtij sistemi, qytetarët, bizneset dhe administratat publike do të mund të aksesojnë të dhëna kryesore si emri, forma ligjore, selia, statusi, përfaqësuesit ligjorë dhe degët e regjistruara. Gjithashtu, çdo ndryshim në të dhënat e shoqërive do të njoftohet automatikisht ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. /ekofin.al
