Grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes deputetes Pranvera Resulaj ka depozituar në Parlament projekligjin për disa shtesa dhe ndryshime të ligjit “Për investimet strategjike”, për të cilat shtyhet afati i paraqitjes së kërkesave nga investitorët e huaj nga 31 dhjetor 2024 në 31 dhjetor 2026.
Portofoli i strategjisë së zhvillimit të investimeve përfshin planet trevjeçare si dhe një kalendar njëvjeçar me ministritë si iniciatore.
Projektligji propozon që statusin e investitorit strategjik ta përfitojnë edhe ata investitorë apo projekte investuese, të cilat pavarësisht se nuk parashikohen të reaalizohn në sektorët kyç si transporti, bujqësia, turizmi, zona teknollogjike, kanë të parashikuar vlerën totale të kapitalit të projektit të barabartë ose më të mëdha se 50 milionë euro nga dhe pasi të kenë marrë miratimin paraprak të ministrisë së linjës. Ndërkohë ligji aktual parashikon statusin për investimet strategjike në sektorët kyç në vlerën 100 milionë euro.
Parashikohet që AIDA të realizojë të ardhura për ofrimin e shërbimeve, të cilat 30 % të kalojnë në Buxhetin e shtetit dhe 70% në të ardhurat e agjecisë, që do të përdoren për qëllime promovimi dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Propozohet gjithashtu se shfuqizimi apo anulimi i vendimit për dhënien e statusit ngarkon investitorin me përgjegjësi civile ose penale për dëmin e shkaktuar, gjë e cila nuk ishte parashikuar në ligjin e mëparshëm.
Ndërsa për dhënien në përdorim të brigjeve të deteve, lumenjve dhe liqene si stacione plazhe, propozohet ndryshimi i kompetencës nga Këshilli i Ministrave te Komiteti i Investimeve Strategjike. Marrëveshja përkatëse që lidhet ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Investitorit ka një afat jo më shumë se 30 vjet.
Tarifat për lejimin e përdorimit të brigjeve përcaktohen me vendim të Këshillit Bashkiak dhe për efekt të statusit, përdorimit dhe tarifimit, përdorimi i brigjeve në fushën e turizmit, i nënshtrohet rregullave të këtij ligji, pravarësisht përcaktimit të legjislacionit të posaçëm të fushave të tjera. Në çdo rast, përdorimi i brigjeve fillon efektet pas vënies në funksion të strukturave akomoduese turistike.
Propozohet që ligji të zbatohet edhe për ato investime strategjike që janë në process të zhvillimit të tyre dhe nuk kanë lidhur kontratë me autoritetin publik dhe investitorin strategjik, ndërsa masat mbështetëve për projektet me procedurë të veçantë ose të asistuar do të realizohen sipas Planit të zbatimit të vendimit të KIS.
Sa u përket projekteve të investimeve që e kanë fituar statusin si “investitor/investime strategjike” ato do të vijojnë të mbështeten me procedura të posaçme administrative favorizuese, por aplikimi për marrjen e statusit përfundimtar do të bëhet sipas dispozitave të këtij ligji.
Projektligji përjashton çdo subjekt nga përfitimi i masës mbështetëse të ligjit nëse kanë qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, është nën hetim apo ndjekje penal për kryerjen e veprave si fshehje të të aradhurave, pjesëmarrja në grupe kriminale, pastrim parash, trafikim narkotikësh etj. Këtu përfshihet çdo anëtar i organeve administrative që ka kompetenca përfaqësuese ose drejtuese.
Investitorët nuk do t’i nënshtrohen verifikimit paraprak nëse konstatohet nga Agjencia në bashkëpunim me organet tatimore se ai ka paraqitur të dhëna financiare të reme dhe ka shmangur detyrimet financiare, si dhe ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit apo nuk ka deklaruar në QKB pronarët përfitues, aksionerët apo ortakët.
Ndërkohë propozohet që ligji do të hyjë në fuqi menjëherë dhe të botohet në Fletoren Zyrtare, por efektet do të fillojnë nga 1 janari 2025, si dhe ngarkohen institucionet përgjegjëse për ndryshimet nënligjore në zbatim të ligjit, brenda 6 muajve nga hyrja e tij në fuqi. /ekofin.al
