Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i publikuar në Fletoren Zyrtare, sjell disa risi që ecin paralelisht me zhvillimet teknologjike dhe digjitalizimin e shërbimeve, si mënyra të reja të dhënies së pëlqimit; e drejta për t’u harruar; konceptet inovative, si transferueshmëria e të dhënave; privatësia në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar; si dhe parashikon sanksione më të forta për shkeljet e dispozitave të tij, duke garantuar mbrojtjen e duhur të të dhënave personale.
Një prej risive është edhe e drejta për t’u harruar. Me kërkesën e subjektit të të dhënave, operatorët e motorëve të kërkimit në internet janë të detyruar të fshijnë nga rezultatet që shfaqen pas një kërkimi të kryer në bazë të emrit të subjektit të të dhënave informacionin, i cili nuk është më aktual me kalimin e kohës, por që, kur gjendet, ka një ndikim negativ të konsiderueshëm në reputacionin e subjektit të të dhënave.
Sanksionet administrative
Komisioneri vendos sanksione administrative në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative, në mënyrë të tillë që të jenë efektive, proporcionale dhe me karakter parandalues. Në varësi të rrethanave për çdo rast individual, sanksionet administrative shoqërohen ose zëvendësohen me masat korrigjuese.
Për të vendosur nëse sanksioni administrativ do të vendoset ose jo, si dhe masën e tij në secilin rast, mbahen në konsideratë natyra, rëndësia dhe kohëzgjatja e shkeljes, duke marrë parasysh natyrën, objektin ose qëllimin e përpunimit në fjalë, si dhe numrin e subjekteve të të dhënave të përfshirë dhe nivelin e dëmit të shkaktuar ndaj tyre, si dhe nëse shkelja është bërë me dashje apo nga pakujdesia. Do të mbahet gjithashtu parasysh veprimet që shkelësit kanë ndërmarrë për të zbutur dëmin e pësuar nga subjektet e të dhënave;
Nëse një kontrollues ose përpunues, me dashje ose si pasojë e pakujdesisë në formën e neglizhencës, për të njëjtat veprime përpunimi ose për veprime të lidhura me të, shkel disa dispozita të këtij ligji, shuma totale e sanksionit administrativ nuk tejkalon shumën e parashikuar për shkeljen më të rëndë.
Masa e sanksioneve
Nëse me ligjin e mëparshëm gjobat varionin në varësi të shkeljes nga 10 mijë deri në 1 milion lekë, ligji i ri ka ashpërsuar dënimin për shkeljen e mbrojtjes së të dhënave personale.
Sipas nenit 94 të ligjit të ri, bazuar edhe në rrethanat e përcaktuara, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë deri në 1 miliardë lekë, ose në rastin e një shoqërie tregtare deri në 2% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, shkeljet e detyrimeve të kontrolluesit dhe përpunuesit; të organizmit certifikues dhe të organit monitories.
Përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë deri në 2 miliardë lekë, ose në rastin e një shoqërie tregtare, deri në 4% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, shkeljet e mëposhtme: moszbatimi i parimeve themelore të përpunimit, përfshirë kushtet për dhënien e pëlqimit, transferimet e të dhënave personale te një marrës në një vend të tretë ose një organizatë ndërkombëtare, në kundërshtim me ligjin;
Shkelja e detyrimit për bashkëpunim apo e çdo akti të Komisionerit, moszbatimi i një urdhri apo kufizimi të përkohshëm ose përfundimtar të përpunimit ose për pezullimin e shkëmbimit të të dhënave, i nxjerrë nga Komisioneri, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 2 miliardë lekë, ose në rastin e një shoqërie tregtare, deri në 4% të xhiros./ekofin.al
