Qeveria do të rishikojë ligjin e koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat. Zv/ministrja e Financave, Vasilika Vjero, ka bërë me dije se që prej vitit të kaluar është ngritur një grup pune për këtë qëllim, i cili do të gjenerojë një produkt përfundimtar që do të reflektojë rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Është ngritur një grup pune gjatë vitit 2023 që po sheh gjithë kuadrin ligjor në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve dhe shumë shpejt do të vijë me një produkt që ka si qëllim harmonizimin e legjislacionit dhe do reflektojë sugjerime të FMN lidhur me procesin e vlerësimit dhe monitorimit të projekteve koncesionare,” u shpreh ajo/
Deputeti i Partisë Socialiste Laert Duraj ka propozuar ndryshime në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, që kanë si qëllim ndryshimin e pagesave të garancive nga ana e kompanive që shpallen fituese të këtyre kontratave.
Sipas propozimit, vlera për sigurimin e kontratës duhet të ndahet në 2 pjesë, dhe fillimisht të paguhet garancia për vlerën e investimit. Ndërkohë që, vlera e garancisë për shërbimet të paguhet në momentin që përfundon investimi, me qëllim lehtësimin e operatorëve ekonomikë.
