Bizneset shqiptare do të mund të krijojnë grupime të përbashkëta ekonomike me subjekte të vendeve të Bashkimit Evropian, sipas një forme të re juridike që synon të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik ndërkufitar. Por anëtarësimi në këto struktura shoqërohet edhe me një ekspozim të lartë financiar: secili anëtar do të ketë përgjegjësi të pakufizuar dhe solidare për detyrimet e grupimit, ndërsa shkeljet e kërkesave për regjistrimin dhe publikimin e të dhënave mund të dënohen me gjoba deri në 200 mijë lekë për çdo shkelje.
Ligji nr. 76/2026 “Për grupimet ekonomike me interes evropian”, i miratuar nga Kuvendi më 23 korrik 2026, përcakton për herë të parë rregullat për krijimin dhe funksionimin në Shqipëri të grupimeve ekonomike me interes evropian, GEIE. Ligji është përafruar plotësisht me rregulloren evropiane për European Economic Interest Grouping dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Këto grupime nuk krijohen për të prodhuar fitim për vete. Qëllimi i tyre duhet të jetë lehtësimi ose zhvillimi i aktivitetit ekonomik të anëtarëve dhe përmirësimi i rezultateve të tyre. Aktiviteti i grupimit duhet të mbetet ndihmës ndaj biznesit të anëtarëve dhe ligji vendos disa kufizime të drejtpërdrejta: grupimi nuk mund të administrojë apo kontrollojë aktivitetet e anëtarëve të tij, nuk mund të zotërojë aksione në kapitalin e tyre, me përjashtime të kufizuara, nuk mund të punësojë më shumë se 500 persona dhe nuk mund të përdoret për hua apo transferime pasurie të ndaluara ndërmjet shoqërive dhe administratorëve të tyre.
Një GEIE duhet të ketë element ndërkufitar. Ligji parashikon kombinime të anëtarëve nga Shqipëria dhe vendet e BE-së, ndërsa grupimet e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk mund të kenë më shumë se 20 anëtarë. Transferimi i anëtarësisë te një person tjetër kërkon miratimin unanim me shkrim të të gjithë anëtarëve.
Anëtarët rrezikojnë edhe pasurinë e tyre për detyrimet e grupimit
Një nga dispozitat më të forta të ligjit lidhet me përgjegjësinë për borxhet. Anëtarët kanë përgjegjësi të pakufizuar dhe solidare për të gjitha detyrimet e grupimit, të çfarëdo natyre, ndërsa çdo klauzolë në kontratën e themelimit që tenton ta kufizojë këtë përgjegjësi është e pavlefshme.
Kreditorët duhet fillimisht t’i kërkojnë pagesën vetë grupimit. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda një kohe të arsyeshme, por jo më vonë se tre muaj, atëherë mund të kërkohet ekzekutimi i detyrimeve ndaj anëtarëve.
Ekspozimi financiar nuk përfundon domosdoshmërisht me largimin nga grupimi. Një anëtar që largohet mbetet përgjegjës për detyrimet që rrjedhin nga aktivitetet e zhvilluara përpara largimit të tij. Për kërkesat që lidhen me këto detyrime ligji përcakton një afat parashkrimi prej pesë vjetësh nga publikimi i njoftimit të largimit.
Edhe anëtarët e rinj, si rregull, bëhen përgjegjës për detyrimet e krijuara përpara hyrjes së tyre në grupim. Ata mund të përjashtohen nga borxhet e mëparshme vetëm nëse kjo përcaktohet në kontratën e themelimit ose në aktin e pranimit dhe publikohet sipas procedurave të ligjit.
Gjoba deri në 200 mijë lekë për çdo shkelje
Ligji vendos edhe sanksione financiare konkrete. Nëse nuk përmbushen detyrimet për depozitimin ose publikimin e dokumenteve dhe të dhënave në QKB, çdo person fizik ose juridik përgjegjës për grupimin mund të gjobitet me 50 mijë deri në 200 mijë lekë për çdo shkelje.
Një tjetër gjobë, nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë, parashikohet kur në dokumentet zyrtare të grupimit nuk përfshihen të dhënat e detyrueshme, mes tyre emri dhe statusi GEIE, numri unik i identifikimit, adresa zyrtare dhe, kur është rasti, fakti se grupimi është në likuidim.
Për shkelje të përsëritura ose të qëllimshme ligji shkon më tej. Mund të vendosen masa shtesë, përfshirë pezullimin e regjistrimit ose kërkesën për shpërbërjen e grupimit, por këto masa mund të merren vetëm përmes gjykatës. Po ashtu, nëse grupimi zhvillon veprimtari në kundërshtim me ligjin, ministria përgjegjëse për ekonominë ose një agjenci e autorizuar prej saj mund t’i kërkojë gjykatës mbylljen e tij.
Fitimi tatohet te anëtarët, jo te grupimi
Edhe trajtimi tatimor është specifik. Fitimet ose humbjet e krijuara nga aktiviteti i GEIE-së konsiderohen se u lindin drejtpërdrejt anëtarëve dhe tatohen te secili prej tyre sipas legjislacionit tatimor. Kur anëtari është jorezident, grupimi vepron si agjent i mbajtjes së tatimit në burim mbi pjesën e fitimit që i takon, përveç rasteve kur provohet se tatimi është paguar në një shtet tjetër të BE-së për të njëjtin vit fiskal.
Rregullat praktike të zbatimit ende kërkojnë akte nënligjore. Këshilli i Ministrave duhet të miratojë brenda gjashtë muajve procedurat për deklarimin dhe shkëmbimin e të dhënave tatimore, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të punës dhe statistikave, ndërsa ministri përgjegjës për ekonominë duhet të përcaktojë format dhe procedurat e regjistrimit në QKB./ekofin.al
