Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë, që përfundon në 2025, nuk do të rinovohet.
Qeveria propozon një projektligj të ri për gjuetinë, e cila do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara dhe do të përjashtohen të gjitha territoret e tjera në Republikën e Shqipërisë. Qëllimi është menaxhimi dhe ruajtja e llojeve të faunës së egër, por gjithashtu mund të ofrojë mundësi të shkëlqyera për zhvillimin rural dhe përdorimin e qëndrueshëm të kafshëve të egra.
Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore, private apo në përdorim të kombinuar në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha dhe të mos përfshijë vendbanime dhe qendra ekonomike, tregtare, arsimore, sportive e fetare dhe të ndodhet jo më pak se 300 metra larg prej tyre.
Përjashtimisht, gjuetia e individëve të llojeve të ndaluara mund të bëhet në rastet e shtimit intensiv dhe të pakontrolluar të popullatës së një lloji, shfaqjes së situatave epidemike etj.
Ligji parashikon gjithashtu edhe zënien e kafshëve të egra për hulumtime shkencore, si edhe vrasja emergjente e kafshës së egër vetëm në rastet ajo kërcënon dëmtimin e shpejtë dhe të rëndë të jetës së njerëzve.
Për herë të parë është futur edhe koncepti i menaxhuesit të zonës së gjuetisë, i cili është personi kyç që në zonën e tij të gjuetisë do të sigurojë funksionimin e shërbimit profesional e do të organizojë veprimtarinë e gjuetisë, i cili do të zgjidhet sipas një procedure ligjore konkurimi.
Një propozim tjetër është që zona e gjuetisë mund t’u jepen me qira subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë përcaktohet sa 50 për qind e vlerës të gjuetisë vjetore të kafshëve të egra, të planifikuara sipas planit të përdorimit të llojeve të zonës së gjuetisë, të llogaritura sipas çmimit të tregut.
Po kështu, gjahtarët, të cilët duhet të jenë mbi 25 vjeç, do të duhet të kalojnë një test njohurie shtetëror për faunën e egër në Shqipëri dhe do të licencohen dhe do të pajisjen me leje personale gjuetie.
Kundërvajtësit do të përballen me gjoba nga 200 mijë lekë deri në 1.3 milionë lekë në varësi të shkeljes. Gjobat për kundërvajtësit përbëjnë titull ekzekutiv, çfarë do të thotë se janë të ekzekutueshme nga shërbimi përmbarimor. Gjuetarit të gjobitur nuk i kthehen leja dhe arma e gjuetisë pa paguar më parë gjobën, ndërsa të ardhurat nga gjoba do të derdhen në Buxhetin e Shtetit. Ky projektligj nuk do të ketë efektet shtesë financiare në buxhetin e shtetit. /ekofin.al
