Të dhënat e vitit 2024 të Eurostat, tregojnë një panoramë të ndarë për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës sa i përket pajisjes me leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE/EFTA.
Italia mbetet destinacioni kryesor për shtetasit shqiptarë, me 24,734 leje qëndrimi duke u renditur në 5 kombësitë jashtë BE-së që marrin lejen e parë të qëndrimit. Më pas Greqia, e cila dha 16,525 leje qendrimi për shqiptarët në 2024. Prania e lartë lidhet me kanale pune dhe bashkime familjare të konsoliduara, traditën migratore dhe afërsinë kulturore dhe gjeografike.
Për shtetasit e Kosovës, Gjermania është destinacioni kryesor i emigrimit, me 22,304 leje qëndrimi për herë të parë. Po ashtu, Sllovenia e ka Kosovën ndër tri burimet kryesore të lejeve të para, duke reflektuar tregun e punës slloven dhe lidhjet e reja të migracionit rajonal.
Në vendet e tjera të BE-së të listuara (si Spanja, Franca, Holanda, Danimarka, Irlanda, Çekia, etj.) shqiptarët dhe kosovarët nuk dalin në 5 vendeve të para, çka nënkupton një shpërndarje më të ulët ose kanale më të kufizuara hyrjeje krahasuar me destinacionet kryesore të mësipërme.
Si krahasohen me vendet e tjera të Ballkanit?
Bosnja dhe Hercegovina është qartësisht në 5 vendet kryesore që kanë marrë leje qendrimi në Slloveni, duke sinjalizuar kërkesë të madhe për fuqi punëtore nga kjo kombësi.
Serbia shfaqet dukshëm në Austri dhe Slloveni, sërish e lidhur me kërkesë pune dhe afërsi gjeografike.
Ndërkohë për Evropën Qendrore dhe Lindore përfshirë Hungarinë, Çekinë, Poloninë dhe Lituaninë, vende si Nepali, India, Uzbekistani, Vietnami dhe Bjellorusia zënë shumicën e 5 vendeve të para, duke treguar një ndryshim të kanaleve të migracionit drejt skemave të punësimit nga Azia.
Në vitin 2024, në BE u dhanë 3.5 milionë leje të para qëndrimi për qytetarë jashtë BE-së, një rënie prej 8.3% (-315 700) krahasuar me vitin 2023, i cili kishte numrin më të lartë të regjistruar deri më tani.
Punësimi ishte arsyeja kryesore për dhënien e lejeve të qëndrimit në vitin 2024, duke përfaqësuar 31.9% (1.1 milionë) të të gjitha lejeve të para të qëndrimit të lëshuara, çka tregon një ulje të dukshme krahasuar me vitin 2023 (-12.2%; -155 500).
Arsyet familjare përbënin 27.1% (950 600) të të gjitha lejeve, duke reflektuar një rënie prej 6.5% (-65 800) krahasuar me 2023. Arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, zinin pak më shumë se një të katërtën e totalit (25.3%; 886 300), me një ulje prej 10.0% (-98 900).
Arsyet arsimore përfaqësuan 15.7% (549 400) të të gjitha lejeve të para të qëndrimit, duke qenë e vetmja kategori me rritje të përgjithshme prej 0.8% (+4 500)./ekofin.al

