Katër nënkryetarë të bashkisë së Tiranës janë liruar nga detyra. Bëhet me dije se Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga posti që mbanin në këtë institucion. Ndërkohë janë caktuar edhe katër emrat që do të jenë nënkryetarët e rinj, të cilët janë Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero.
Ndryshimet vijnë pas takimeve të zhvilluara nga kryeministri Edi Rama me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e bashkisë së kryeqytetit. Në mbledhjen e fundit, Rama kishte kërkuar gjithashtu që bashkia të ishtë me 5 nënkryetarë dhe secili prej tyre të kishte një profil të caktuar. Ndërkohë raportohet se në mbledhje, kryetares së komanduar të bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, Rama i ka ngarkuar pjesën e digjitalizimit në këtë insititucion.
Detyrat që do të mbajnë katër nënkryetarët e rinj në Bashkinë e kryeqytetit janë: Ilir Mengra për punët publike, Vasilika Vjero për financat e zhvillimin ekonomik, Blendi Sula për territorin dhe menaxhimin dhe zhvillimin rural dhe Gentian Keri në administratën e Bashkisë Tiranë.
