Pas hyrjes për herë të parë në Shqipëri, me dyqanin duty free në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, në bashkëpunim me Grupin Kastrati, gjigandët francezë të Lagardère Travel Retail kanë vendosur të zgjerohen më tej, duke hapur së fundmi një dyqan prej rreth 100 m² në Portin e Durrësit.
Në ceremoninë e hapjes së dyqanit të ri morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe CEO i Lagardère Travel Retail Albania, Stanislav Beranek. Pas prerjes së shiritit, Beranek shoqëroi të ftuarit në ambientet e reja.
Sipas CEO-s së Lagardère Travel Retail Albania, Stanislav Beranek, hapja e një dyqani të ri është jo vetëm shenjë e forcimit të partneritetit me Grupin Kastrati, por edhe tregon përkushtimin dhe interesin e kompanisë ndaj turizmit shqiptar që po rritet me shpejtësi.
“Hapja e dyqanit tonë të ri duty free në Portin e Durrësit përfaqëson një hap të rëndësishëm për Lagardère Travel Retail në Shqipëri. Pas suksesit tonë në Aeroportin e Tiranës, jemi krenarë që po zgjerojmë bashkëpunimin me Grupin Kastrati dhe po sjellim përvojën tonë në shitjen me pakicë në një nga portat kryesore hyrëse dhe dalëse të vendit. Presim me padurim t’u ofrojmë pasagjerëve në Durrës një përvojë moderne dhe mikpritëse, që pasqyron njëkohësisht standardet ndërkombëtare dhe autenticitetin lokal.”
I vendosur në zonën e tranzitit të portit, menjëherë pas pikës së kalimit kufitar, dyqani ofron produkte të përshtatshme në formatin pa taksa, si duhan, pije alkoolike, parfume dhe kozmetikë, si edhe kategori të tjera mallrash. Përzgjedhja përfshin marka ndërkombëtare të përshtatura për profilin e pasagjerëve që udhëtojnë me traget midis Shqipërisë dhe Italisë, si edhe produkte shqiptare tipike si raki, verë, ëmbëlsira dhe suvenire lokale. Duke iu shërbyer afro një milion pasagjerëve në vit, Porti i Durrësit është porti më i ngarkuar në Shqipëri dhe një portë kryesore hyrëse për turistët dhe vendasit. /ekofin.al






1 Comment
Pingback: Lagardère Albania investon për laboratorin e informatikës të shkollës së Rinasit - Ekofin