Kuvendi ka miratuar ligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, një reformë të rëndësishme të kuadrit ligjor që rregullon funksionimin, kompetencat dhe pavarësinë e bankës qendrore.
Ligji, i hartuar fillimisht nga vetë Banka e Shqipërisë, ka kaluar në procesin parlamentar me disa ndryshime nga propozimet fillestare, ndërsa synimi kryesor mbetet përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Nisma ligjore synon të forcojë pavarësinë institucionale, funksionale dhe financiare të Bankës së Shqipërisë, të qartësojë marrëdhëniet e saj me qeverinë dhe institucionet e tjera publike, si dhe të modernizojë mekanizmat e drejtimit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.
Sipas relacionit shoqërues, ligji i ri lidhet drejtpërdrejt me detyrimet e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, konkretisht me kapitullin 17, “Politika ekonomike dhe monetare”.
Një nga parimet themelore të reformës është ruajtja e stabilitetit të çmimeve si objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë. Krahas tij, institucioni kontribuon në stabilitetin financiar dhe mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të qeverisë, për aq kohë sa këto nuk cenojnë objektivat e tij parësore.
Ligji parashikon gjithashtu ndalimin e financimit monetar të sektorit publik, duke kufizuar mundësinë që banka qendrore të financojë drejtpërdrejt qeverinë apo institucione të tjera shtetërore. Ky është një ndër parimet themelore të funksionimit të bankave qendrore në Bashkimin Evropian.
Imuniteti i Guvernatorit, ndryshimi kryesor nga propozimi fillestar
Një nga çështjet më të rëndësishme të ligjit të ri është mbrojtja e posaçme ligjore për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, por në një formë më të kufizuar nga ajo që ishte propozuar fillimisht.
Në variantin fillestar të Bankës së Shqipërisë, mbrojtja nga arrestimi dhe kontrollet parashikohej si për Guvernatorin, ashtu edhe për zëvendësguvernatorët, ndërsa autorizimi përkatës do të kërkohej nga Gjykata Kushtetuese.
Në variantin e miratuar, kjo mbrojtje lidhet me veprat penale që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës së Guvernatorit dhe nuk shtrihet shprehimisht te zëvendësguvernatorët.
Një ndryshim tjetër është se kërkesa për autorizim i drejtohet Kuvendit dhe jo Gjykatës Kushtetuese. Dispozitat përkatëse do të bëhen efektive pas ndryshimeve të nevojshme në Kodin e Procedurës Penale.
Ruhet Inspektori i Përgjithshëm, ndryshe nga propozimi i Bankës
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me kontrollin e brendshëm të institucionit.
Propozimi fillestar parashikonte që auditimi i brendshëm të drejtohej nga një drejtor i emëruar nga Këshilli Mbikëqyrës, me propozim të Guvernatorit.
Megjithatë, në ligjin e miratuar është ruajtur pozicioni i Inspektorit të Përgjithshëm, i cili zgjidhet nga Kuvendi për një mandat pesëvjeçar, duke mbajtur kështu një mekanizëm të kontrollit parlamentar mbi administrimin e bankës qendrore.
Ndërkohë, kompetencat e Kontrollit të Lartë të Shtetit kufizohen në auditimin e veprimtarive administrative dhe të efikasitetit operacional, pa përfshirë vlerësimin e politikës monetare, vendimmarrjen makroprudenciale apo administrimin e rezervës valutore.
Banka e Shqipërisë do t’i nënshtrohet ligjit të prokurimeve publike
Ligji i ri ndryshon edhe trajtimin e Bankës së Shqipërisë në raport me prokurimet publike.
Institucioni do të bëhet subjekt i legjislacionit për prokurimin publik, duke hequr përjashtimin që gëzon sipas kuadrit aktual. Ky ndryshim parashikohet të zbatohet nga 1 janari 2028.
Ndërkohë, ligji forcon pavarësinë e Bankës së Shqipërisë në administrimin e burimeve njerëzore dhe në përcaktimin e politikave të pagave.
Pagat bazë të personelit parashikohet të indeksohen çdo vit me normën e inflacionit, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës do të ketë kompetencën të rishikojë nivelet e pagave dhe përfitimeve të tjera financiare.
Ndryshojnë rregullat për Këshillin Mbikëqyrës
Ligji i ri sjell ndryshime edhe në procedurat e shkarkimit dhe vazhdimësisë së mandateve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.
Qeveria nuk do të ketë më të drejtën të pezullojë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e tyre. Sipas rregullave të reja, procedura e shkarkimit lidhet me propozimin e vetë Këshillit Mbikëqyrës dhe kushtet e përcaktuara në ligj.
Gjithashtu, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të mund të vazhdojnë ushtrimin e detyrës deri në gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit, nëse ende nuk është emëruar pasardhësi i tyre.
Kjo dispozitë synon të shmangë situatat e bllokimit të vendimmarrjes për shkak të mungesës së kuorumit. 
Hapet rruga për lekun digjital
Një nga risitë e projektit ligjor është krijimi i bazës juridike për emetimin e monedhës digjitale kombëtare.
Sipas nenit 16 të projektligjit të paraqitur, leku digjital, krahas kartëmonedhave dhe monedhave metalike, parashikohet të ketë kurs ligjor në territorin shqiptar.
Banka e Shqipërisë do të ketë të drejtën ekskluzive të emetimit të tij, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës do të përcaktojë rregullat përkatëse. Kjo krijon mundësinë ligjore për zhvillimin e një monedhe digjitale të bankës qendrore, por nuk nënkupton hedhjen e menjëhershme të saj në qarkullim.
Ligji hyn në fuqi në vitin 2027
Ligji i ri u miratua në seancën e sotme me 84 vota pro, ndërsa pjesa kryesore e dispozitave parashikohet të fillojë zbatimin më 1 janar 2027. Disa rregullime kanë afate të veçanta, përfshirë ato që lidhen me imunitetin e Guvernatorit dhe prokurimet publike.
Në tërësi, reforma ndryshon mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Bankës së Shqipërisë, duke forcuar pavarësinë e saj në politikën monetare dhe administrimin financiar, por duke ruajtur njëkohësisht mekanizma të kontrollit institucional dhe parlamentar.
Ndryshimet e bëra gjatë procesit të miratimit tregojnë se jo të gjitha propozimet fillestare të bankës qendrore janë pranuar, veçanërisht ato që lidhen me shtrirjen e imunitetit dhe organizimin e auditimit të brendshëm. /ekofin.al
