Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten dollari amerikan forcoi pozitat në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja vijoi të humbasë terren.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane u forcua me 0.04 lekë dhe këmbehet me 116.91 lekë, ndërsa euroja zbriti me 0.03 lekë dhe këmbehet me 117.29 lekë.
Paundi britanik krahasuar me ditën e mërkurë, u dobësua me 0.24 lekë duke zbritur në kuotën 138.64 lekë.
Ndërkohë, franga zvicerane këmbehet me 118.86 lekë, ose 0.63 lekë më pak se ditën e mërkurë.
Forcimi i vazhdueshëm i lekut ndaj euros, që është edhe monedha kryesore e këmbimeve tregtare të vendit, luan një rol të konsiderueshëm në zbutjen e presioneve inflacioniste ku të favorizuar janë importuesit e mallrave që blejnë në euro dhe shesin në lekë.
Gjithashtu të favorizuar janë edhe të gjithë subjektet që kanë detyrime në euro dhe të ardhura në lekë, ku përfshihet qeveria shqiptare si edhe subjektet private që kanë kredi në monedhën europiane.
Nga ana tjetër, ata që humbasin nga nënçmimi i euros me lekut janë kryesisht eksportuesit.
Forcimi i pozitave të monedhës vendase në tregun e këmbimit valutor i adresohet në këtë periudhë sezoni turistik që ka hyn tashmë në pikun e vet.