Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet e saj në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, duke konsoliduar rezervën valutore dhe duke mbështetur stabilitetin financiar të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës prill–qershor u zhvilluan gjithsej shtatë ankande për blerjen e valutës, ku në total u siguruan 88.9 milionë euro. Kjo shifër shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me tremujorin e parë të vitit, kur u blenë 33.2 milionë euro. Në përmbledhje, gjashtëmujori i parë i 2025-ës mbyllet me 122.1 milionë euro të blera nga Banka e Shqipërisë.
Ndërhyrjet janë pjesë e një plani të shpallur që në dhjetor 2024, i cili synon rritjen graduale të rezervës valutore, përmbushjen e objektivave të politikës monetare, si dhe garantimin e një mjedisi financiar të qëndrueshëm, sipas BSH.
Në përputhje me objektivin e zhvillimit të tregut, Banka ka përdorur edhe instrumente të tregut të zhvilluar, duke organizuar katër ankande me opsionin FORWARD – dy me afat njëmujor dhe dy me afat tremujor. Kjo qasje shihet si një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të mekanizmave të ndërhyrjes dhe rritjes së profesionalizmit të tregut vendas.
Një pjesë e konsiderueshme e blerjeve është realizuar pas datës 9 maj 2025, kur Banka e Shqipërisë nisi një fazë të re të ndërhyrjeve. Në këtë periudhë, u blenë 72.7 milionë euro, duke ndihmuar në balancimin e likuiditetit në treg dhe në përmbushjen e objektivave afatshkurtra të politikës monetare, njofton BSH.
Sipas ekspertëve të tregut financiar, rritja e rezervës valutore përbën një element kyç për forcimin e mbrojtjes së ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme, si luhatjet e çmimeve në tregjet globale, tensionet gjeopolitike apo ndryshimet e papritura në prurjet e kapitalit. Një rezervë më e lartë valutore jo vetëm që rrit besueshmërinë e vendit në sytë e investitorëve të huaj, por edhe ndihmon në stabilizimin e kursit të këmbimit në periudha me presione të shtuara.
Me këtë ritëm, Banka e Shqipërisë pritet të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit ndërhyrjet në treg, duke ruajtur fleksibilitetin dhe duke përshtatur volumin e blerjeve sipas kushteve të tregut. Objektivi mbetet i qartë: krijimi i një rezerve valutore të mjaftueshme për të garantuar sigurinë financiare të vendit dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike. /ekofin.al
