Nga Jori Vila
Duke pyetur njerëz të ndryshëm për kuptimin e integritetit në kontekstin profesional, u përsërit një model interesant: përgjigjet ishin të sigurta dhe të artikuluara, por në thelb asnjë prej tyre nuk e njihte kuptimin e vërtetë të integritetit. Secili prej tyre filloi të përshkruajë integrimin: aftësinë për t’u përshtatur me ekipin, për të bashkëpunuar, për të qenë funksional brenda një strukture, për t’u integruar… 8 nga 10 të intervistuar, nuk e njihnin integritetin
Në një moment m’u bë e qartë se ky nuk ishte vetëm një keqkuptim konceptual, por edhe gjuhësor. Fjala integritet po lexohej, në mënyrë të pavetëdijshme, si integrim. Të dyja ndajnë të njëjtën rrënjë: integr- por janë larg në kuptim. Kjo përvojë më la konfuze dhe me një pyetje që lundron në mendjen time që atëherë: A nuk flitet në shoqërinë shqiptare për Integritetin? Ne që flasim pafund për një shoqëri të korruptuar, nuk duhet të flasim qëllimisht paralelisht për atë që do duhej të ishte ana tjetër e medaljes: një shoqëri të bazuar në vlerën e integritetit?!
Por, çfarë do të thotë në të vërtetë integritet? Integriteti ka të bëjë me marrëdhënien e individit me veten. Në kuptimin filozofik, ai nënkupton një tërësi: koherencë mes mendimit, fjalës dhe veprimit. Do të thotë që individi nuk fragmentohet sipas rrethanave dhe nuk e ndryshon boshtin e tij të brendshëm për t’u përshtatur. Do të thotë që, pavarësisht rolit, situatës apo kostos afatshkurtër, individi vepron mbi të njëjtat parime dhe mban të njëjtin nivel përgjegjësie. Do të thotë që rrethanat ndryshojnë, por parimet jo.
Pse integriteti është i domosdoshëm në biznes si për punonjësit ashtu edhe për drejtuesit? Sepse biznesi funksionon mbi besim, dhe besimi ndërtohet vetëm kur ka koherencë mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet. Për punonjësit, integriteti krijon qartësi në rol, përgjegjësi personale dhe standarde të qëndrueshme veprimi, pavarësisht presionit apo situatës. Për drejtuesit, integriteti është shumëfishues kulturor: çdo vendim, tolerim apo kompromis i tyre shndërrohet në normë organizative. Pa integritet, vendimmarrja bëhet reaktive dhe afatshkurtër; me integritet, ajo bëhet e parashikueshme dhe e qëndrueshme. Në të dy rastet, integriteti nuk është çështje morali personal, por kusht funksional për stabilitet, rritje dhe besueshmëri afatgjatë të çdo organizate.
Një punonjës pa integritet nuk e sheh marrëdhënien e punës si angazhim, por si rrethanë të përkohshme. Në momentin që shfaqet një ofertë pak më e mirë, një konflikt i vogël apo një vështirësi që kërkon përgjegjësi, ai është gati të largohet menjëherë, edhe nëse ka projekte të pambyllura, angazhime të marra apo një ekip që varet nga puna e tij. Jo sepse ndryshimi është gjithmonë i gabuar, por sepse mungon ndjenja e koherencës mes asaj që ka pranuar dhe asaj që është gati të mbajë. Kur vendimet merren vetëm mbi leverdinë e momentit, pa respekt për fjalën e dhënë apo përgjegjësinë e marrë, organizata mbetet e pambrojtur. Dhe kjo është arsyeja pse punonjësit pa integritet mund ta lënë vendin e punës “për 10 sekonda” sapo rrethanat ndryshojnë apo diçka nuk përputhet rehatin e tyre.
Situata të tilla janë ato që më kanë vënë mua në aksion për të gjetur bashkëpunëtorë me integritet dhe ky është tashmë një vlerë e panegiociueshme.
Por si ta kuptojmë shpejt nëse një bashkëpunëtor/e është person me integritet? Integriteti nuk matet me deklarata, por me modele sjelljeje që shfaqen shumë herët në bashkëpunim. Që në fillim, ai mund të vlerësohet duke vëzhguar koherencën mes asaj që personi thotë dhe asaj që bën në situata të vogla, jo kritike. Për shembull, mënyra si respekton afatet, si reagon kur diçka nuk e di, apo si merr përgjegjësi për gabime të vogla është shumë më treguese sesa çdo përgjigje teorike. Integriteti shfaqet kur dikush pranon kufijtë e tij pa i zbukuruar, mban fjalën në detaje të vogla dhe nuk ndryshon narrativë sipas interesit. Në thelb, ai matet duke testuar qëndrueshmërinë: a sillet njësoj kur gjërat janë të lehta dhe kur kërkojnë kosto? Këto sinjale të hershme janë tregues shumë më të besueshëm sesa çdo premtim apo vetë-përkufizim.
Një shoqëri ku integriteti nuk emërtohet dhe nuk diskutohet është një shoqëri që funksionon, por nuk ndërton. Njerëzit mësojnë të lëvizin brenda sistemeve ekzistuese, të lexojnë rrethanat dhe të përshtaten me to, por jo të mbajnë standarde të qëndrueshme. Vendimet merren sipas interesit të momentit, përgjegjësia shpërndahet dhe besimi mbetet i kushtëzuar. Në një shoqëri të tillë, rregullat ekzistojnë, por zbatimi i tyre varet nga rrethanat, jo nga parimi.
Në të kundërt, një shoqëri që flet qartë për integritetin dhe e përkufizon atë si vlerë bazë ndërton koherencë në sjellje dhe vendimmarrje. Njerëzit nuk janë domosdoshmërisht më të mirë, por janë më të parashikueshëm në standarde. Përgjegjësia personale është e qartë, marrëveshjet kanë peshë dhe besimi nuk negociohet në çdo situatë. Në një shoqëri të tillë, sistemet nuk mbahen nga frika apo interesi, por nga një bosht i përbashkët vlerash që u jep stabilitet dhe drejtim.
Unë nuk do heq dorë nga kërkimi i bashkëpunëtorëve me integritet sepse integriteti është i vetmi faktor që garanton që një bashkëpunim të ketë vazhdimësi reale. Aftësitë mësohen, rolet ndryshojnë, strategjitë rishikohen, por pa integritet çdo marrëveshje mbetet e përkohshme dhe çdo angazhim i kushtëzuar. Bashkëpunëtorët me integritet krijojnë qartësi, mbajnë përgjegjësi dhe nuk e zhvendosin standardin sipas interesit të momentit. Kjo e bën punën më të parashikueshme, vendimmarrjen më të qëndrueshme dhe ndërtimin afatgjatë të mundur. Për mua, integriteti nuk është kërkesë ideale apo luks moral; është kusht funksional për të ndërtuar ekipe, marrëdhënie dhe struktura që nuk varen nga rrethanat, por nga parimet mbi të cilat janë ngritur.
Ju ftoj të pyesni njerëzit që keni afër nëse e njohin Integritetin dhe ta bëni pjesë të vlerave dhe diskutimeve të përditshme në punë dhe në shoqëri :).
