Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot nevojën për shtimin e parkimeve nëntokësore si dhe goditjen e parkimit të dyfishtë në kryeqytet.
Gjatë prezantimit të projektit për kthimin në zonë këmbësore të ish-Bllokut, Kryeministri u ndal te adresimi i problemit të parkimit të makinave në kryeqytet.
“Me siguri ne do të duhet të mendojmë për më shumë akoma hapësira parkimi nëntokësore. Ka ende mundësi Tirana për të vazhduar në atë rrugë që është nisur me parkimet nëntokësore që ka sjellë një lehtësim të arsyeshëm por ende të mjaftueshëm për shkak se nevoja është ende e madhe”, tha Rama.
Hapi tjetër, sipas kryeministrit, do të jetë goditja e parkimit të dyfishtë që është problem kryesor.
“Kjo do të bëjë që shumëkush në distancë të arsyeshme të fillojë të mendojë se mund të lërë makinën dhe të mund të përdorë më shumë këmbët, duke ulur kështu edhe vulnerabilitetin e rritur ndaj sëmundjeve kardiake dhe shumë pasojave të tjera. Për hir të së vërtetës, demokracia ka ardhur me shumë kolesterol në Shqipëri dhe pesha mesatare e popullatës është shumë më e rritur falë patjetër mirëqenies, por falë edhe shumë helmeve dhe shumë ushqimeve që mirë është që të evitohen”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se për të adresuar paligjshmërinë me bllokimin e rrugëve dhe parkimin e dyfishtë do të duhet edhe një ndërhyrje më energjike nga Policia e Shtetit.
