Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Péter Magyar, tha se planifikon të vizitojë Brukselin në përpjekje për të zhbllokuar miliarda fonde të ngrira të BE-së, ndërsa premton të rikthejë sistemin e balancave dhe kontrollit.
Magyar deklaroi se vendi do të jetë sërish një aleat i fortë i Evropës dhe i NATO-s, duke u zotuar të rikthejë vendin e Hungarisë në Evropë.
Ai foli në qendër të Budapestit para mijëra mbështetësve, pasi siguroi një fitore dërrmuese ndaj Partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orbán.
“Hungaria do të jetë sërish një aleate e fortë që përfaqëson interesat hungareze, sepse vendi ynë është në Evropë,” tha Magyar.
Ai shtoi se udhëtimet e tij të para jashtë vendit do të jenë në Varshavë dhe Vjenë, pas së cilave do të vizitojë Brukselin për të bindur BE-në të zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira.
“Do t’i sjellim në vend fondet e BE-së që u takojnë qytetarëve hungarezë,” tha ai.
Për këtë qëllim, ai premtoi se do t’i bashkohet Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, institucioni që heton krime financiare komplekse dhe ndërkufitare.
“Do të rikthejmë sistemin e kontrollit dhe balancave. Do t’i bashkohemi Zyrës së Prokurorit Publik Evropian. Garantojmë funksionimin demokratik të vendit tonë.”
Magyar i bëri gjithashtu thirrje Presidentit hungarez Tamás Sulyok të japë dorëheqjen menjëherë, pasi t’i kërkojë atij të formojë qeverinë. Të njëjtin mesazh ua dërgoi edhe drejtuesve të tjerë shtetërorë të emëruar nga Viktor Orbán. Gjatë fushatës, Tisza i akuzoi këta zyrtarë se përfaqësojnë interesa partiake.
“I bëj thirrje Presidentit të Republikës që të kërkojë menjëherë nga fituesi të formojë qeverinë dhe më pas të largohet nga detyra. U bëj thirrje të gjitha kukullave që kanë qenë në pushtet për 16 vitet e fundit të bëjnë të njëjtën gjë,” tha ai.
Ai përmendi Presidentët e Kurias, Zyrës Gjyqësore, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Autoritetit të Konkurrencës dhe drejtuesin e autoritetit të medias.
“Le të largohen, të largohen. Mos prisni derisa t’ju largojmë ne,” tha Magyar.
Ai e cilësoi gjithashtu fitoren e partisë së tij si një mandat historik dhe i bëri thirrje kryeministrit Viktor Orbán të shmangë çdo masë që do të kufizonte kompetencat e qeverisë së ardhshme.
“Nëse gjatë periudhës, shpresojmë të shkurtër, të tranzicionit lind një vendim apo çështje serioze për kombin tonë, ju lutem mos hezitoni të më telefononi – e dini numrin tim.”
Me gati 99% të votave të numëruara, Tisza është në rrugë të sigurt për të marrë një shumicë të rehatshme prej dy të tretash, me 138 vende në parlamentin hungarez me 199 vende.
Sipas të dhënave të Komisionit Kombëtar të Zgjedhjeve, Fidesz i Viktor Orbán mund të mbajë 55 vende. Ndërsa lëvizja e ekstremit të djathtë “Atdheu Ynë” pritet të hyjë në parlament si forcë e tretë me gjashtë mandate.
Më shumë se 90 mijë hungarezë votuan në qendrat e votimit jashtë vendit, ndërsa rreth 224 mijë të tjerë votuan në një vend tjetër nga adresa e tyre zyrtare. Këto vota do të numërohen në ditët në vijim, çka do të thotë se duhet ende pak kohë derisa të numërohen 100% e votave./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
