Pesha e bizneseve që përdorin kreditë për të mbuluar shpenzimet e përditshme të aktivitetit është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, ndërsa ajo e ndërmarrjeve që marrin hua për investime afatgjata ka shënuar rënie.
Sipas Vrojtimit të Gjendjes Financiare dhe Huamarrjes së Ndërmarrjeve, të publikuar nga Banka e Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, rreth 44% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se kanë përdorur kreditë për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra operative. Kjo përqindje është rritur me 14 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur rezultonte rreth 30%.
Në të kundërt, pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua për investime afatgjata ka zbritur në 49%, nga rreth 56% një vit më parë, duke shënuar një rënie prej 7 pikësh përqindjeje.
Ndryshimi tregon se financimi bankar po përdoret nga një pjesë më e madhe e bizneseve për nevojat e funksionimit të aktivitetit, krahas financimit të investimeve që synojnë zgjerimin e kapaciteteve apo zhvillimin e veprimtarisë.
Banka e Shqipërisë evidenton se rritja e përdorimit të kredive për shpenzime afatshkurtra është diktuar kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha. Ndërkohë, rënia e peshës së huave për investime afatgjata është shpërndarë pothuajse në të njëjtën masë në të tria grupet e ndërmarrjeve.
Megjithatë, në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, struktura e përdorimit të huave ka mbetur relativisht e qëndrueshme.
Prirja konfirmohet edhe nga huamarrja e re. Ndër ndërmarrjet që kanë marrë kredi gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, rreth 50% deklarojnë se financimi është përdorur për shpenzimet korrente, ndërsa 39% për investime afatgjata.
Nga ana tjetër, nevoja për financim shtesë mbetet e pranishme. Rreth 9% e ndërmarrjeve huamarrëse e konsiderojnë të pamjaftueshëm nivelin aktual të kredisë dhe dëshirojnë të marrin më shumë hua, kundrejt 6% që e vlerësojnë të lartë nivelin e tyre të huamarrjes.
Megjithëse përdorimi i kredive për shpenzime operative është rritur, Banka e Shqipërisë vëren se pritshmëritë e ndërmarrjeve për investime dhe zgjerim të aktivitetit gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit mbeten pozitive./ekofin.al

