Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar vijuan rënien edhe në shtator, duke zbritur në një nga nivelet më të ulëta të regjistruara në gati dy dekada. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme ndaj totalit të huave ra në 3.59%, nga 3.66% në gusht.
Niveli i shtatorit është tashmë pothuajse i barabartë me minimumin e regjistruar në fillim të vitit 2008. Në janar 2008, raporti i kredive me probleme ishte rreth 3.58. Pra, sistemi bankar është shumë pranë nivelit më të ulët të kësaj serie që prej fillimit të vitit 2008.
Ky është gjithashtu muaji i katërt radhazi me rënie të treguesit. Në maj, kreditë me probleme përbënin 3.77% të totalit, për të zbritur në 3.70% në qershor, 3.69% në korrik, 3.66% në gusht dhe tashmë 3.59% në shtator.
Përmirësimi është edhe më i dukshëm krahasuar me një vit më parë. Në shtator 2025, raporti i kredive me probleme ishte 4.37%, çka do të thotë se brenda një viti pesha e tyre është ulur me 0.78 pikë përqindje.
Sinjale pozitive vijnë edhe nga treguesi i kredive me probleme neto nga provigjonet në raport me kapitalin rregullator të nivelit të parë. Ai zbriti në 6.30%, nga 6.87% në gusht dhe 6.77% në shtator të vitit të kaluar. Rënia e këtij raporti tregon se pesha e kredive problematike, pasi zbriten provigjonet, është bërë më e vogël në raport me kapitalin bazë të bankave.
Edhe kapitalizimi i sektorit mbetet i fortë. Raporti i kapitalit rregullator ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik arriti në 20.73% në shtator, nga 20.30% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Megjithatë, jo të gjithë treguesit lëvizën në të njëjtin drejtim. Kthimi nga kapitali zbriti në 13.36%, nga 14.30% në gusht dhe 15.85% një vit më parë, ndërsa kthimi nga aktivet ra në 1.60%. Edhe treguesit e likuiditetit shënuan një zbutje të lehtë. /Scantv

