Kreditë me probleme në sistemin bankar paraqiten në shifra të qëndrueshme. Siç raporton Banka e Shqipërisë, në muajin maj, kreditë e pashlyera brenda afatave shënuan një zbritje të lehtë, pasi ishin rritur lehtë në prill, një sinjal i normalizimit të situatës.
Rritja e aftësisë paguese për kreditorët ndaj bankave mund të ketë ardhur edhe si pasojë e uljes së ndjeshme të inflacionit. Konkretisht, treguesi i kredive me probleme në muajin e pestë të vitit arriti në 4.81%, me një ulje të mëtejshme nga shifra 5.23% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në përgjithësi, edhe shifrat e tjera gjatë periudhës janar-maj 2024 sugjerojnë rënie të kredive me probleme. Raporti i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator ra me 7.8% krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar, ndërkohë raporti i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner është ulur me 10.5%.
Ndërkohë që huatë me probleme në sistemin bankar shënuan rënie, në tregun financiar jobankar këto kredi shënuan një rritje, kjo kryesisht për shkak të riklasifikimit të linjave të kredive me probleme nga ana e dy shoqërive MCA dhe Final, të cilave edhe iu hoq licenca nga Banka e Shqipërisë në muajin maj të këtij viti. Ekofin.al
