Kreditimi i ekonomisë shqiptare ka vijuar me ritme të larta edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, i nxitur nga kërkesa e bizneseve dhe individëve, por edhe nga kushtet më të favorshme që bankat po ofrojnë për huamarrësit.
Sipas Raportit Tremujor të Politikës Monetare 2026/III të Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për sektorin privat u zgjerua me 14% në terma vjetorë, pothuajse me të njëjtin ritëm si në tremujorin e parë.
Banka e Shqipërisë evidenton se konkurrenca në rritje mes bankave, gatishmëria më e madhe e tyre për të marrë përsipër rrezik dhe perceptimi pozitiv për ecurinë e ekonomisë kanë mbështetur zgjerimin e huadhënies. Si rezultat, raporti i kredisë për sektorin privat ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në 35%, duke u rritur me 0.9 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2025.
Rritja është edhe më e fortë te individët. Portofoli i kredisë për këtë kategori u zgjerua me 16.7% në terma vjetorë, ndërsa financimi vijon të orientohet kryesisht drejt konsumit dhe blerjes së banesave.
Kredia konsumatore regjistroi një rritje vjetore prej 18.4%, ndërsa kredia hipotekare u zgjerua me 15.8%. Banka e Shqipërisë e lidh këtë ecuri si me kërkesën e lartë të individëve për financim, ashtu edhe me lehtësimin e standardeve të kreditimit nga bankat, përfshirë kushtet e çmimit dhe ato joçmim.
Rritja e fortë e kreditimit po shoqërohet edhe me një orientim gjithnjë e më të madh drejt monedhës kombëtare. Kredia në lekë u rrit me 15.3%, duke përshpejtuar me 1.6 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë. Kredia në valutë u zgjerua me 12.8%, por ritmi i saj u ngadalësua lehtë.
Për rrjedhojë, pesha e kredisë në lekë në portofolin total ka arritur në 59.2%. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo prirje është mbështetur nga kushtet më të favorshme të financimit në monedhën vendase dhe politikat e bankave për të orientuar huamarrësit drejt monedhës në të cilën sigurojnë të ardhurat.
Edhe bizneset po marrin më shumë financim. Portofoli i kredisë për sipërmarrjet u rrit me 12.5% në terma vjetorë, me një orientim gjithnjë e më të fortë drejt investimeve.
Kredia për investime po zgjerohet prej më shumë se dy vitesh me ritme dyshifrore dhe në tremujorin e dytë regjistroi një rritje prej 14%. Kredia për likuiditet u rrit ndërkohë me 8.9%.
Kjo dinamikë po ndryshon edhe strukturën e financimit të bizneseve. Kreditë për investime tashmë përbëjnë 61.7% të portofolit total të kredisë për bizneset, duke treguar një orientim më të madh të financimit bankar drejt zgjerimit të kapaciteteve dhe investimeve afatgjata. /ekofin.al
