Kreditimi i biznesit dhe individëve shënoi rritje edhe në muajin prill të këtij viti.
Banka e Shqipërisë, bëri të ditur se vlera e kredive të reja të disbursuara arriti në 23.4 miliardë lekë, në rritje me 39% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Për katër muajt e parë të vitit, vlera e kredisë së re arriti në 89.2 miliardë lekë, në rritje vjetore me 37%.
Sipas BSH-së, ecuria e kreditimit paraqitet pozitive në të gjitha segmentet kryesore të tregut, teksa kontributin kryesor në rritjen e kredisë së re këtë vit po e japin ndërmarrjet private.
Statistikat tregojnë se kredia e re për bizneset e sektorit privat në katër muaj arriti vlerën e 58.6 miliardë lekëve, në rritje me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia për biznesin paraqitet në rritje, si për nevojat afatshkurtra për kapital qarkullues, ashtu edhe për investime në makineri, pajisje dhe pasuri të paluajtshme. Kjo tregon se rritja e kreditimit është nxitur sa nga rritja e volumit të aktivitetit dhe rritja e inflacionit, por edhe nga vijimësia e zgjerimit të investimeve.