Kredia e sektorit bankar për blerje pronash arriti në 261.4 miliardë lekë, ose 2.6 miliardë Euro në fund të 3-mujorit të tretë të vitit 2025, duke u rritur me rreth 3.5% krahasuar me periudhën paraardhëse, ose me 9 miliardë lekë më shumë. Kundrejt totalit të portofolit të kredisë së sektorit bankar për bizneset dhe individët, kredia për blerje pronash zë 31%.
Rritja e kredisë së sektorit bankar për blerje pasurish të paluajshme sidomos gjatë viteve të fundit, e shoqëruar edhe me rritje të ekspozimit të bankave, ka bërë që në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë të marrë disa masa.
Në argumentimin e vendimit për vendosjen e kufijve të sipërm për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale, Banka e Shqipërisë thekson se ky vendim synon vendosjen e niveleve të sipërme kufizuese (tavane) për dy tregues të kredidhënies bankare për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
Zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme dhe në kuadrin makroekonomik të vendit, si rritja e papunësisë, rënia e të ardhurave, rritja e normave të interesit, etj. Këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia.
Praktikisht, maksimumi i financimit për blerjen e shtëpisë së parë do të jetë 85% për kredinë në lekë, ndërsa për shtëpinë e dytë do të jetë në masën 80%. Ndërsa, për kreditë në valutë, kufizimet do të jenë respektivisht 75% dhe 70%.
Gjithashtu, kufizimi për këstin në varësi të të ardhurave në lekë do të jetë në masën 40% të të ardhurave, pra nuk mund të ketë këst kredie për blerje shtëpie që të jetë më i lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Ndërsa për të ardhurave në valutë, kufizimi do të jetë 45%. Ndërsa për blerjen e shtëpisë së dytë, kufizimet do të jenë respektivisht 35% dhe 30% të të ardhurave.
Në argumentimin e vendimit, Guvernatori Sejko theksoi në konferencën për mediat se këto janë masa rregullatore që nuk synojnë të pengojnë kredidhënien, por ta standartizojnë atë. Sipas tij, vetë bankat aplikojnë tavane për kreditimin, të cilat janë më të ulëta sesa normat që ka vendosur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. /ekofin.al
