Nisur nga niveli i lartë i kreditimit për pasuritë e paluajshme dhe kërkesat gjithnjë në rritje të individëve dhe nisur nga niveli i ekspozimit të bankave ndaj këtyre kredive, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur sot të ndërmarrë disa kufizime rregullatore ndaj kredive të bankave tregtare për blerjen e shtëpive.
Në fjalën e tij, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Sejko shpjegoi se janë përcaktuar disa tavane për kreditë në raport me vlerën e financimit për banesën, si edhe një tavan për kredinë në raport me të ardhurat e kredimarrësit. Gjithashtu, Bsh ka vendosur edhe një kufizim kohor për marrjen e kredisë, më shumë duke iu referuar moshës së pensionit dhe aftësisë paguese të kredimarrësve.
Sipas Sejkos, maksimumi i financimit për blerjen e shtëpisë së parë do të jetë 85% për kredinë në lekë, ndërsa për shtëpinë e dytë do të jetë në masën 80%. Ndërsa, për kreditë në valutë, kufizimet do të jenë respektivisht 75% dhe 70%.
Gjithashtu, sipas Guvernatorit, kufizimi për këstin në varësi të të ardhurave në lekë do të jetë në masën 40% të të ardhurave, pra nuk mund të ketë këst kredie për blerje shtëpie që të jetë më i lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Ndërsa për të ardhurave në valutë, kufizimi do të jetë 45%. Ndërsa për blerjen e shtëpisë së dytë, kufizimet do të jenë respektivisht 35% dhe 30% të të ardhurave.
Sejko theksoi se këto janë masa rregullatorë që nuk synojnë të pendojnë kredidhënien, por ta standartizojnë atë. Sipas tij, vetë bankat aplikojnë tavane për kreditimit, të cilat janë më të ulëta sesa normat që ka vendosur sot Këshilli Mbikëqyrës i BSH. /ekofin.al
