Punësimi në Shqipëri i kushton biznesit mesatarisht 98.561 lekë në muaj për çdo njësi pune me kohë të plotë. Të dhënat publikohen nga INSTAT në Anketën e Kostos së Punës për vitin 2024, e cila mat jo vetëm pagën e punonjësit, por edhe kontributet shoqërore dhe shpenzimet e tjera që përballon punëdhënësi.
Sipas INSTAT-it, kostoja mesatare vjetore arrin në 1.182.734 lekë, ndërsa një orë pune kushton mesatarisht 559 lekë. Këto shifra i referohen ndërmarrjeve jo-bujqësore me 10 e më shumë të punësuar dhe nuk përfaqësojnë pagën që merr punonjësi në dorë.
Pagat zënë pjesën më të madhe të kostos
Struktura e shpenzimeve tregon se 85,5% e kostos totale të punës shkon për paga, shpërblime dhe shtesa. Kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi zënë 14,3%, ndërsa trajnimi profesional dhe shpenzimet e tjera përbëjnë vetëm 0,2%.
Në total, kostoja vjetore e punës për ndërmarrjet e përfshira në anketë vlerësohet në 468,9 miliardë lekë.
Financat kanë koston më të lartë, industria përpunuese ndër më të ulëtat
Diferencat mes sektorëve janë të dukshme. Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve regjistrojnë koston më të lartë, me 1.066 lekë për orë pune. Pas tyre renditen informacioni dhe komunikacioni me 844 lekë dhe industria nxjerrëse me 836 lekë.
Në anën tjetër, kostoja më e ulët regjistrohet në akomodim dhe shërbimin ushqimor, me 377 lekë për orë, e ndjekur nga industria përpunuese me 398 lekë dhe furnizimi me ujë e menaxhimi i mbetjeve me 414 lekë.
Kjo diferencë tregon se bizneset përballen me nivele të ndryshme të kostos së punës, në varësi të aktivitetit ekonomik.
Ndërmarrjet e mëdha paguajnë më shumë për orë pune
Sipas madhësisë së ndërmarrjes, kostoja mesatare orare është më e ulët te bizneset me 10–49 punonjës, me 480 lekë, ndërsa arrin në 685 lekë në ndërmarrjet me 1.000 e më shumë të punësuar.
Në grupet e tjera, kostoja është 528 lekë për ndërmarrjet me 50–249 punonjës, 644 lekë për ato me 250–499 punonjës dhe 663 lekë për ndërmarrjet me 500–999 punonjës.
Rreth 397 mijë të punësuar me pagë
Anketa evidenton se gjatë vitit 2024 ndërmarrjet e përfshira kishin mesatarisht 397.328 të punësuar me pagë. Prej tyre, 99,49% punonin me kohë të plotë, 0,47% me kohë të pjesshme dhe 0,04% ishin praktikantë.
Një njësi pune me kohë të plotë është paguar mesatarisht për 2.367 orë në vit, ndërsa orët realisht të punuara kanë qenë 2.114. Diferenca përfshin pushimet vjetore, festat zyrtare dhe lejet e tjera të paguara.
Sa i përket shpenzimeve totale, tregtia me shumicë dhe pakicë kryeson me 67 miliardë lekë në vit, e ndjekur nga arsimi me 64,9 miliardë lekë dhe industria përpunuese me 63,1 miliardë lekë. /ekofin.al
