Edhe pse Korporata e Investimeve Shqiptare zbuti kushtet për investitorët privatë duke ulur nga 45% në 35% sipërfaqen që do t’i kalonte shtetit, projekti për zhvillimin e “Korpusit të Institucioneve të Pavarura” dhe “Qendrës për Zhvillimin Multifunksional” në zonën e ish-Fushës së Aviacionit nuk arriti të tërhiqte interes nga tregu.
Korporata njoftoi më 29 qershor anulimin e procedurës për përzgjedhjen e partnerit privat që do të realizonte projektimin dhe zhvillimin e objektit multifunksional në Njësinë Administrative nr. 7 në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, arsyeja e anulimit ishte numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të paraqitura në fazën e parë të procedurës konkurruese.
Projekti ishte rihapur në pranverë të këtij viti, pasi tentativa e parë nuk kishte prodhuar rezultat. Në thirrjen e re, Korporata kishte ndryshuar një nga elementet kryesore të garës, duke ulur nga 45% në 35% sipërfaqen e ndërtimit që zhvilluesi privat do të duhej t’ia dorëzonte shtetit. Kjo lëvizje u interpretua si një përpjekje për ta bërë projektin më tërheqës për investitorët, pasi rritej sipërfaqja që mund të shfrytëzohej nga partneri privat për qëllime komerciale.
Projekti parashiko zhvillimin e një kompleksi të ri multifunksional në territorin e ish-Fushës së Aviacionit, ku do të ndërtoheshin ambiente për institucione publike, zyra, hapësira shërbimi dhe funksione të tjera urbane. Ai ishte pjesë e strategjisë së Korporatës së Investimeve Shqiptare për zhvillimin e pronave shtetërore përmes partneriteteve me sektorin privat.
Megjithatë, pavarësisht lehtësimit të kushteve, tregu nuk iu përgjigj pozitivisht nismës. Mungesa e aplikimeve të mjaftueshme detyroi Korporatën të mbyllë procedurën pa përzgjedhur një fitues.
Anulimi vjen në një kohë kur disa nga projektet e zhvillimit të pronave shtetërore të promovuara nga Korporata po përballen me sfidën e tërheqjes së investitorëve, në një treg ku kostot e ndërtimit, kushtet e financimit dhe pasiguritë e tregut të pasurive të paluajtshme po ndikojnë në vendimmarrjen e kompanive private. /ekofin.al

