Projektligji për uljen e taksave i presidentit Donald Trump kaloi pengesën e fundit në Kongresin amerikan të enjten, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët e miratoi me një diferencë të ngushtë paketën gjigante që financon agjendën e tij të brendshme dhe do të lërë miliona amerikanë pa sigurim shëndetësor.
Me 218 vota pro dhe 214 kundër, projektligji përbën një fitore të rëndësishme për presidentin republikan. Ai do të financojë shtimin e kontrolleve të imigracionit, do ta bëjë të përhershme reformën fiskale të vitit 2017 dhe do të ofrojë ulje të reja taksash që Trump premtoi gjatë fushatës së vitit 2024. Po ashtu, parashikohet shkurtimi i programeve të ndihmës shëndetësore dhe ushqimore, si dhe anulimi i dhjetëra stimujve për energjinë e gjelbër.
Sipas Zyrës jo-partiake për Buxhetin të Kongresit (CBO), projektligji do të shtojë 3.4 trilionë dollarë në borxhin kombëtar, që aktualisht arrin në 36.2 trilionë dollarë.
Megjithëse brenda Partisë Republikane pati shqetësime për koston e projektligjit prej 869 faqesh dhe për ndikimin që do të ketë në kujdesin shëndetësor, vetëm dy republikanë nga 220 votuan kundër, pas një përplasjeje të gjatë gjatë natës.
Senati, gjithashtu i kontrolluar nga republikanët, e ka miratuar tashmë projektligjin me shumicën më të ngushtë të mundshme. Shtëpia e Bardhë bëri me dije se Trump do ta firmosë ligjin të premten në orën 17:00 me orën lokale (21:00 GMT), në Ditën e Pavarësisë më 4 korrik.
Republikanët pretendojnë se legjislacioni do të ulë taksat për amerikanët në të gjitha nivelet e të ardhurave dhe do të nxisë rritjen ekonomike. “Ky është karburant reaktiv për ekonominë – dhe të gjithë do të përfitojnë”, deklaroi Kryetari i Dhomës, Mike Johnson.
Çdo demokrat në Kongres votoi kundër, duke e cilësuar projektligjin si një dhuratë për miliarderët që do të lërë miliona pa mbulim shëndetësor. “Fokusi i këtij projektligji, arsyeja e të gjitha shkurtimeve që do të dëmtojnë amerikanët e zakonshëm, është të ofrohen përfitime të mëdha fiskale për miliarderët,” tha lideri demokrat Hakeem Jeffries, në një fjalim që zgjati 8 orë e 46 minuta, më i gjati në historinë e Dhomës.
Trump ushtroi presion të vazhdueshëm ndaj ligjvënësve, duke i nxitur dhe kërcënuar që ta përfundonin punën. “PËR REPUBLIKANËT, KJO DUHET TË JETË NJË VOTË PO E LEHTË. QESHARAKE!!!” shkroi ai në rrjetet sociale./Përshtati nga Reuters, ekofin.al

