Administrata Tatimore ka nisur pagesat e para të tatimit të mbipaguar për individët që kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025) dhe janë klasifikuar si deklarues pa risk. Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara sot nga Tatimet, deri tani kanë përfituar 3091 individë, ndërsa vlera totale e tatimit të rimbursuar ka arritur në 52.8 milionë lekë.
Skema e re e kompensimit po aplikohet për herë të parë përmes DIVA 2025 dhe synon të nxisë deklarimin korrekt të të ardhurave, duke krijuar mundësi konkrete për rikthimin e tatimit të mbipaguar tek qytetarët. Përfitues janë jo vetëm individët me fëmijë në ngarkim, por edhe ata që, pas rillogaritjes vjetore të tatimit, kanë rezultuar me tepricë kreditore apo mbipagesë.
Administrata Tatimore sqaron se për të përfituar kompensimin në llogarinë bankare, individët duhet të paraqesin online kërkesën përkatëse në sistemin e-Filing, duke ngarkuar dokumentacionin justifikues. Mes dokumenteve të kërkuara përfshihen certifikata familjare, faturat e shpenzimeve arsimore për fëmijët, si dhe dokumenti me IBAN-in e llogarisë bankare në format PDF.
Nga skema përfitojnë prindërit që kanë të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë dhe që deklarojnë shpenzime arsimore deri në 120 mijë lekë në vit, si edhe zbritjen prej 48 mijë lekësh në vit për çdo fëmijë në ngarkim. Ndërkohë, e drejta e kompensimit është zgjeruar edhe për individët pa fëmijë, të cilët rezultojnë me tatim të mbipaguar pas përllogaritjes vjetore.
Tatimet bëjnë të ditur se e drejta për të aplikuar për kompensim nuk humbet për një periudhë 5-vjeçare, ndërsa shqyrtimi i kërkesës nga administrata tatimore kryhet brenda një afati deri në dy muaj. Skema konsiderohet si një nga risitë kryesore të DIVA 2025, me synimin për të rritur formalizimin dhe për të afruar më shumë administratën tatimore me qytetarët. /ekofin.al
